“Melodi shpirti” dhe melodi pene libër plot freski i poetes Lindita Kurti

“Melodi shpirti” dhe melodi pene libër plot freski i poetes Lindita Kurti

Libri i ri me poezi “Melodi shpirti” i poetes premtuese Lindita Kurtit vjen para lexuesit i brishtë, melankolik, nostalgjik, thirrës, ëndërrues, premtues dhe plot emocion.

Jeta e mërgimit e ka bërë autoren më të ndjeshme, më të brishtë, më delikate, më shprehëse, më elegante në varg por më vizionare në jetë. Në këtë vëllim ato që vihet re më shumë janë tre shtylla kryesore të ndërtimit të lëndës nostalgjia, atdhedashuria dhe melankolia.

Autorja në këtë vëllim duket se nostalgjisë i ka kushtuar fjalë zemre pa limit për vetë faktin se mërgimi i ka privuar shumë kujtime të bukura të fëmijërisë. Në libër tregohet plot sinqeritet se Lindita edhe sot ka nostalgji për miqësinë, për thjeshtësinë, për bashkimin, për varfërinë e sinqeritetin, për dhembshurinë, krenarinë, mirëkuptimin, respektin ndaj prindërve, ndaj miqve, dëshirën për të qëndruar pranë prindërve, vëllezërve dhe motrave, për të lozur të shpenguar me shoqet.Nostalgjia edhe sot mbetet si një ndër pjesët më të bukura të jetës njerëzore. Për nostalgjinë thuren vargjet më të bukura, tingujt më të arrirë muzikor. Ja si shprehet poetja në poezinë me titull “Kam mall”...

Kam mall

Sa mall, kam për ato vite...
që pas mbeten harruar,
punën, u merrnim nga duart prindërve,
sa herë i shihnim, të dërrmuar.

Sa mall kam, për ato vite,
kur prindi ishte duke qortuar,
loti në faqe lehtë rrëshqiste,
dhe pse mbi ty, s'kishte vënë duar...


Nuk thuhet më kot se  rëndësinë dhe vlerën e prindit e kupton kur bëhesh prind vetë. Ja tashmë autorja në moshën e të qenit nënë e përcjell kaq bukur nostalgjinë për marrëdhëniet prindër-fëmijë. Ajo flet me sinqeritet fëminor, me patos melodioz, me dëshirë të pastër se si i kujton ato vite. Ndoshta ngaqë sot teknologjia e ka zbehur disi marrëdhënien prind-fëmijë, ndoshta ngaqë emigracioni i ka zbehur lidhjet mes njerëzve, autorja i përcjell nostalgjitë e fëminisë për të treguar  atë lidhje të fortë shpirtërore që duhet të ketë prindi me fëmijën në çdo kohë. Ndërsa tek  poezia “Shpirti i lodhur”, kalon në një gjendje tjetër shpirtërore...

 Shpirti i lodhur

Kur jeta më bëhet e hidhur,
e s'mundem më ta jetoj,
kur buzën, e kam të dridhur,
e syrin, ndjej të lotoj...

Gjithkush  prej nesh ka momente melankolie. Jeta është si një udhëtim që i dihet fillimi por kurrë fundi. Tek sinqeriteti qëndron bukuria e vargut të autores në këtë vëllim. Ajo nuk di të shtiret, nuk di të mbulojë realitetin, nuk do të lumturohet kur lumturia duket ende shtegtare. Loti i dhimbjes është pjesë e jetës. Secili prej nesh ka ditë të vështira në jetë, ka ditë që loti si shter kurrë, ka ditë kur lumturia mbulohet me re të zeza, kur e qeshura ka marrë arratinë. Ndaj dhe “Shpirti i lodhur” nxjerr në pah ato mangësi shpirtërore, atë zbrazëti shpirtërore, atë lumturi të munguar që njeriu e përjeton por do ta mbulojë me gëzim artificial. Në origjinalitetin e saj jetësor dhe poetik vargu i Linditës merr vlerat reale të besimit dhe përjetimit konkret. Autorja nuk e pranon mashtrimin e vetes ashtu si nuk do të mashtrojë të tjerët me realitetin jetësor. Nuk ka jetë pa debate, pa ngërçe, pa oshilacione, pa lot, pa psherëtima, pa drithërima.

E dua Shqipërinë!