OECD: Ekonomia botërore po njeh rritjen më të ngadaltë në një dekadë

OECD: Ekonomia botërore po njeh rritjen më të ngadaltë në një dekadë

Rritja ekonomike botërore ka rënë në nivelin më të ulët brenda një dekade si pasojë e luftës tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ekonomia botërore rrezikon të hyjë në një periudhë të re rritjeje të ngadaltë nëse qeveritë nuk do të dinë t’i sheshojnë mosmarrëveshjet.

Sipas OECD-së, ekonomia botërore do të njohë rritjen më të ngadaltë që nga koha e krizës financiare të viteve 2008-2009, duke rënë nga 3.6% vitin e kaluar në 2.9% këtë vit, transmeton oranews.

Organizata me seli në Paris tha se ekonomia botërore mori një kthesë të keqe që nga lëshimi i raportit për parashikimin e fundit në maj, kur u parashikua një rritje prej 3.2% për këtë viti dhe 3.4% në 2020-n.

Kryeekonomistja e OECD-së, Laurence Boone, tha se përballja tregtare po dëmton veçanërisht ekonominë amerikane, duke prekur linjat e prodhimit dhe sjellë falimentimin e shumë fermave.

"Vetëm midis ShBA-së dhe Kinës, lufta tregtare po dëmton investimet për këtë vit dhe gjithashtu për dy tre vitet e ardhshme. Vërejmë një tërheqje masive të investimeve. Dhe padyshim, kjo përkthehet në më pak rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me atë që ndodhi këtë vit, ekonomia e Kinës rrezikon të jetë 1 për qind më e ulët,"-tha Boone.

Ndërkohë, pasiguria nga politikat qeveritare po godet gjithashtu perspektivën për ekonominë e Britanisë.

 OECD parashikon se rritja ekonomike e Britanisë do të jetë 1% në vitin 2019 dhe 0.9% në vitin 2020, por kjo vetëm nëse vendi largohet nga Bashkimi Europian me një marrëveshje dhe me një periudhë tranzicioni.