Arrestimi i gjykatësit shtyn gjykimin ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit

Arrestimi i gjykatësit shtyn gjykimin ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit

Arrestimi i gjykatësit Sali Berisha, nën dyshimin për keqpërdorim detyre, ka bërë që të dështojë seanca e së premtes ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi.

Dashi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare pasi që sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2014-2016, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, gjyqtari i cili gjykonte këtë çështje, Sali Berisha, është arrestuar të enjten, nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Dështimin e kësaj seancë si pasojë e arrestimit të gjykatësit Berisha, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Seanca e së premtes ndaj Dashit ishte e paraparë të mbahej prej orës 10:00, në të cilën palët në procedurë do të jepnin fjalën përfundimtare.

Ndërkaq, në seancën e 15 qershor të vitit të kaluar, ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë kishte marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. /BetimipërDrejtësi