Dështon të nis rigjykimi ndaj ish-gjykatëses Safete Tolaj

Dështon të nis rigjykimi ndaj ish-gjykatëses Safete Tolaj

Ka dështuar të mbahet seanca e parë pas kthimit në rigjykim të lëndës ndaj ish-gjykatëses Safete Tolaj, djalit të saj, Fisnik Tolajt si dhe zyrtarit policor, Granit Shehaj, të cilat akuzohet për vepra penale të korrupsionit dhe të tjera.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Fisnik Tolaj, avokatit Gezim Kollçaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga i akuzuari Tolaj, gjykata u njoftua se avokati i tij e kishte të pamundur pjesëmarrjen, me arsyetimin se i njëjti është i angazhuar në një rast tjetër.

Në mungesë të tij, i akuzuari Tolaj nuk ka pranuar që të vazhdohet ky gjykim.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, tha se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, andaj mori vendim që seanca e së premtes të shtyhet për një datë tjetër.

Seancat e radhës janë caktuar më 16 dhe 23 tetor 2019, në ora 09:30.

Ndryshe, prezent në këtë seancë kanë qenë të dëmtuarit, Agron Kelmendi, Berat Kelmendi, dhe Sali Meha.

Kurse, ka munguar i dëmtuari Agim Bajraktari, i cili ishte ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Ky rast është i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 13 korrik 2018, e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërsa, kjo gjykatë e kishte dënuar djalin e Safete Tolaj, Fisnik Tolaj me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim, për dy vepra penale “ushtrim i ndikimit” dhe “falsifikim i dokumentit”.

Kurse, djali i saj, Fisnik Tolaj,për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ai ishte dënuar me tre vjet burgim, kurse për falsifikim të dokumenteve ishte dënuar me dy vjet burgim, por ndaj tij, më pas ishte shqiptuar dënimi unik prej katër vjet e gjysmë burgim.

Fisnik Tolajt, do t’i llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim nga 13 janari 2017, deri më 07 korrik të atij viti.

Në një arsyetim të shkurtër pas shpalljes së aktgjykimit nga shkalla e parë, gjykatësi Idrizi, kishte thënë se trupi gjykues nuk ka arritur me asnjë provë të vërtetoi pretendimin e prokurorisë se ish-gjykatësja Tolaj e ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.

Sipas trupit gjykues, ish-gjykatësja Tolaj ka vepruar drejtë kur për një të pandehur masën e paraburgimit e ka zëvendësuar me dorëzani, vendim të cilin e kishte aprovuar edhe Gjykata e Apelit.

Gjykata rreth aktgjykimit dënues për Fisnik Tolaj kishte thënë se ka ardhur në një konstatim të tillë pasi të gjitha provat kanë shkuar në atë drejtim.

Edhe për të akuzuarin e tretë Granit Shehaj, trupi gjykues kishte deklaruar se nuk kishte prova që i njëjti të shpallet fajtor për veprën e ri cilësuar në fazën e fundit të shqyrtimit gjyqësor, nga keqpërdorim të pozitës zyrtare në ndihmë në ushtrim të ndikimit.

Mirëpo, e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, prokuroria kishte paraqitur ankesë në Apel duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe duke shprehur pretendimin se dënimi për të akuzuarin Fisnik Tolaj nuk është i lartë sa duhet.

Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në aktgjykimin e shkallës së parë nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike, pasi që gjykata nuk ka vendosur në aktgjykim lidhur me konfiskimin e një banese në Prishtinë.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, për pjesën dënuese dhe liruese, për tre të akuzuarit, ku përfshihen veprat penale “ushtrimi i ndikimit në vazhdim”, “falsifikimi i dokumenteve”, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare, apo shkresave zyrtare” dhe “ushtrimi i ndikimit në ndihmë”, është anuluar dhe çështja penale  i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim.

Kjo pasi që, sipas Apelit, aktgjykimi është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave esenciale të procedurës penale.

Kurse, sipas aktvendimit të Apelit, sa i përket pjesës refuzuese që ka të bëjë vetëm më veprën penale “mbajtja ne pronësi ne kontrolle apo posedim të pa autorizuar të armëve” për të akuzuarin Fisnik Tolaj, aktgjykimi është vërtetuar.

Ndryshe, në seancën e fundit të mbajtur për këtë rast në gjykatën e shkallës së parë, më 11 korrik 2018, prokurori Rasim Maloku, kishte sjell para gjykatës një kopje të ndryshuar dhe të plotësuar të aktakuzës.

Prokurori Maloku, në atë seancë kishte thënë se ka vlerësuar që ka ndryshim të gjendjes faktike dhe për këtë ka bërë një ndryshim dhe zgjerim të aktakuzës.

“Bazuar në nenin 350 dhe 351 paragrafi 1 të KPP-së pas një vlerësimi të gjithanshëm të të gjitha provave kam konsideruar se është e nevojshme që të bëhet ndryshimi dhe zgjerimi i akuzës në këtë fazë të procedurës e që të përgatitur në formë të shkruar nga një kopje po iu dorëzoj palëve në procedurë dhe trupit gjykues”, kishte thënë prokurori Maloku.

Në aktakuzën e ndryshuar thuhej se tërhiqet nga ndjekja penale kundër të pandehurit Fisnik Tolaj, vetëm për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të autorizuar të armëve”, nga neni 374 par. 1 të KPK-së e përshkruar në pikën pesë të aktakuzës fillestare të datës 9 tetor 2017, sepse sipas tij, në shqyrtimin gjyqësor nuk është provuar se i pandehuri ka kryer atë vepër penale.

Tutje, aktakuza e ndryshuar thotë që kundër ish-gjykatëses Safete Tolaj, tërhiqet pika tre e dispozitivit ku ajo akuzohej për falsifikim i dokumentit zyrtar, nga neni 434 par.1 të KPK-së, me arsyetimin e njëjtë se sipas prokurorit Maloku, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e pandehura ka kryer atë vepër penale.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, tani Fisnik Tolaj, lidhur me dispozitivin e parë, që ka të bëjë me rastin e Agron Kelmendit dhe Agron Ahmetgjekaj, në çështjen civilo-juridike Cnr.74/12, ku sipas akuzës ai me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt pasuror për vete kishte kërkuar nga Agron e Berat Kelmendi shumën prej 20,000 euro me qëllim që të ushtronte ndikim mbi vendimmarrjen e gjyqtares Safete Tolaj, e më pastaj ishin pajtuar që të shkëmbenin një truall në sipërfaqe prej 3.70 m2 në emër të Agron Ahmetgjekaj dhe shumën prej 2000 euro, ndryshe nga aktakuza e parë ku për këtë akuzohej për kryerjen e veprës penale “mashtrim”, nga neni 355 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, tani cilësohet si vepër penale “ushtrim i ndikimit”, nga neni 431 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, është tërhequr pika ku ai akuzohej për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të autorizuar të armëve” nga neni 374 par. 1 të KPK-së. Kurse, pikat e akuzës lidhur me kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, nga neni 398 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së mbeten të njëjta.

Lidhur me pikat e akuzës ndaj ish-gjykatëses Safete Tolaj, ku ajo akuzohej për tre vepra penale, si “keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së, “asgjësim apo fshehje e materialit arkivor”, nga neni 414 të KPRK-së si dhe për “falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 par.1 të KPK-së, e përshkruar në pikën tre të dispozitivit të aktakuzës fillestare të datës 9 tetor 2017, sepse sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e pandehura ka kryer këtë vepër penale.

Kurse, për të akuzuarin e tretë, zyrtarin Granit Shehaj, vepra u ri cilësua dhe ai nuk do të ngarkohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, por si kryerje e veprës penale “ushtrim i ndikimit në ndihmë”, nga neni 431 par. 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Safete Tolaj,akuzohej se në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, ka keqpërdor autoritetin e saj zyrtar.

Sipas kësaj aktakuze, pasi që e pandehura më 2 janar 2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jep shumën prej 1,900 euro të pandehurit Fisnik, për të ndikuar tek e pandehura, e cila më pas më 10 janar 2017, masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.

Tutje, në këtë aktakuzë thuhej se e pandehura Safete Tolaj, deri më 13 janar 2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, e pandehura deri më 13 janar 2017, në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj, përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që ky i fundit duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj, përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme. /BetimipërDrejtësi