Shpresojmë të mos mbetet vetëm në letër Lista e barnave esenciale

Shpresojmë të mos mbetet vetëm në letër Lista e barnave esenciale

Të premten është nënshkruar Lista e re e barnave esenciale, e cila përmban barna cilësore, të sigurta dhe falas.

Risi në këtë listë, është se janë rreth 100 barna të reja për sektorin e shëndetësisë publike, si dhe gjenden edhe barna për Onkologji dhe sëmundje të rralla.

Por, Yllka Leci piktore e re e prekur nga sëmundja ‘Fibroza cistike’ shpreson që kjo listë të mos mbetet vetëm në letër dhe të zbatohet në mënyrë të mirëfilltë për të gjithë qytetarët me nevojë për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

Leci e cila ishte e pranishme në këtë ceremoni, theksoi se sëmundja e saj nuk është shëruese, por është e trajtuar dhe i kushton mjaft shtrenjtë.

Ajo me disa punime, piktura, arrin t’i mbulojë shpenzimet për barnat e nevojshme.

Fjalimi i Yllkës ishte prekës pothuaj për të gjithë të pranishmit.

E kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili e quajti këtë ditë historike dhe me rëndësi për sistemin shëndetësor, pati fjalë të mira për bashkë-partiakun e tij, ministrin në detyrë Uran Ismajli dhe theksoi se Ismaili dhe të tjerët politikanë duhet të mos jenë të korruptuar dhe me qenë afër njerëzve me nevojë.

Drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë theksuan se finalizimi i kësaj liste është arritur pas një pune një vjeçare, për nevoja të qytetarëve për barna cilësore, të sigurta dhe falas.

Ministri në detyrë në Ministri të Shëndetësisë, Uran Ismaili theksoi sot se pas shtatë viteve u japin një mundësi familjeve të prekura me sëmundje të ndryshme që t’i kenë ato barna falas.

Ai mes tjerash tha se kjo Listë do të ketë një buxhet të fuqishëm pas veti dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve me nevojë.