Mbi 30 liderë botërorë nënshkruan apelin klimatik

Mbi 30 liderë botërorë nënshkruan apelin klimatik

Iniciativa për ambicie serioze klimatike shpall ndryshimet klimatike "një sfidë kryesore të kohës sonë".

Mbi 30 shefa shtetesh dhe qeverish nënshkruan apelin për nisjen e aksioneve serioze në luftën kundër ndryshimeve klimatike, të cilin presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, e përcolli në prag të Samitit të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, që do të mbahet më 23 shtator në New York.

Iniciativa për ambicie serioze klimatike shpall ndryshimet klimatike "një sfidë kryesore të kohës sonë" duke theksuar se "brezi ynë është i pari që ka përjetuar një rritje të shpejtë të temperaturave në të gjithë botën dhe ndoshta i fundit që ka një shans për të luftuar në mënyrë efektive krizën e ardhshme globale të klimës".

Më tej thuhet se vendet duhet të veprojnë “bashkërisht, me vendosmëri dhe shpejtë”.

Nga kabineti i presidentit gjerman të premten njoftuan se Frank-Walter Steinmeier nënshkroi apelin, ndërsa në mesin e tjerëve që bënë të njëjtën gjë është edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti izraelit, Reuven Rivlin dhe kryeministri holandez Mark Rutte.