Kelmendi: PDK ka qenë dhe do të jetë prijëse e proceseve

Kelmendi: PDK ka qenë dhe do të jetë prijëse e proceseve

Publicisti i njohur Migjen Kelmendi ka thënë se vendimi i tij për të hyrë në politikë nuk ka qenë i lehtë, porse e vlerëson edhe si përgjegjësi angazhimin e tij në parti politike.

“Nuk ka qenë i lehtë vendimi për të hyrë në politikë. Kemi negociuar një kohë të gjatë. Ideja ime fillestare ka qenë të angazhohem në nivel të konsulentës, por më pas me dorëheqjen e kryeministrit u krijua një hapësirë e re. Biseduam dhe në parim u binda, sepse kisha marrë vendim qysh moti me qenë pjesë aktive e sferës publike, minimum 6 muaj më herët”, ka theksuar Kelmendi në emisionin “Debat” në RTK 1, duke folur për aderimin e tij në Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai tutje ka thënë se me Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Fatmir Limajn e gjithë pjesëtarët e UÇK-së lidhet që nga vitet ‘97-’99.

“Unë isha gazetari që pata mundësinë të krijoj lidhje prej kësaj ane ku sundonte administrata e Millosheviqit, me atë anën tjetër që tashmë konsideroheshin si hapësira të lira e ku vepronte UÇK-ja. Prej atij momenti e deri te konferenca e Rambujesë dhe deri te momenti i madh i intervenimit të Bashkësisë Ndërkombëtare, në esencë kam qenë me ta i lidhur përmes pamjeve të ushtrisë, përmes qëndrimeve të tyre. Unë pak a shumë ato pamje i kam shndërruar në program, në lajm, reportazh. Prej asaj kohe ka mbetur lidhja ime me këta emra. Shumë herë kam qenë bashkë, kam pasur ftesa por asokohe kam pasur ambicie tjera. Mendoja t’i kryeja disa tema të mëdha të shoqërisë tonë, që më dukeshin jo më pak të vogla se sa lufta që ka bërë UÇK-ja, siç është çështja e parashikimit të një shoqërie qytetare dhe çështja e revidimit të standardit të 72-shit”, ka shtuar Kelmendi.

Ai ka thënë se ka pasur njerëz të befasuar me përfshirjen e tij në PDK, por shumë kush i është gëzuar vendimit të tij.

“Nuk më kujtohet kush u befasua, por e di që shumëkush është gëzuar. Natyrisht ka njerëz edhe që nuk e kanë pritur sepse e njohin profilin tim publik, i cili është ndërtuar prej shumë dekadash. Ndoshta është dukur e çuditshme që një njeri i cili e ka reprezentu mendimin e tij mbi një çështje publike përnjëherë dëshiron të bëhet pjesë e një formacioni politik. Por, pse duhet marrë kjo gjë me çudi sepse mendoj se angazhimi në sferën publike është edhe përgjegjësi. Kjo i bie që të hysh drejtpërdrejt edhe me i marrë përgjegjësitë për këtë sferë ku vepron”, ka nënvizuar Kelmendi.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Kelmendi, ka thënë se këtë e sheh si njërën nga çështjet me domethënien më të madhe për periudhën që po hyjmë.

“Qëndrimi i PDK-së dihet; është Kushtetua jonë që na obligon në këtë territor ku e shtrinë këtë efekt të saj dhe është ai dokument i Ahtisarit që pak a shumë e ka ravizue formën e hartës së kësaj republike. Dialogun me prezencën e shtuar të SHBA-s e shoh si një proces i cili nuk pres që të kryhet shpejtë, por pres që PDK dhe forcat e tjera patjetër të ballafaqohen me këtë çështje dhe patjetër t'i kthehemi dialogut dhe të shohim se çfarë mund të marrim prej kësaj situate, sepse e shoh si një proces të fundit, si një lloj finalizimi pa të cilin nuk po mundemi me rrumbullaksue projektin tonë shtet-formues. Në këtë kontekst nuk mundem me paramendu këtë proces pa PDK-në si gjithmonë. PDK ka qenë dhe do të jetë prijëse. Unë gjithmonë kur ishte prijëse PDK thosha që s’bën pa LDK-në. Por kësaj here po dua ta vë poenten te PDK. Po nuk arriti t'i prijë PDK procesit, ashtu siç i ka prirë prej bisedimeve në Vjenë e përmes shpalljes së pavarësisë, po e shoh të zorshme këtë çështje”, ka thënë Kelmendi.


Për më shumë ndiqeni emisionin “Debat”