Limaj: Tema e parë që e pret qeverinë e ardhshme është dialogu dhe taksa

Limaj: Tema e parë që e pret qeverinë e ardhshme është dialogu dhe taksa

Qeveria që do të dal nga zgjedhjet e 6 tetorit temë të parë për ta trajtuar do ta ketë dialogun dhe taksën. Kështu ka deklaruar kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, gjatë një takimi me strukturat e Nismës në Prizren.

Kreu i Nismës Socialdemokrate tha se qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga fjalët, pasi sipas tij tema e parë do të jetë dialogu dhe taksa.

"Në këto katër vite na presin tema të rëndësishme për vendin, prandaj na duhet me gjet më i bashkua njerëzit, me i ofrua edhe ata që nuk pajtohen. Jo përplasje, po afrim të qëndrimeve në tema nacionale, kjo ka qenë jeta ime politike dhe slogani bashkë për shtetin këtë kuptim e ka. Kurrë më e nevojshme nuk ka qenë me qenë bashkë për shtetin në disa tema që na presin ditën e parë të qeverisjes. Lerëni çka iu thonë, tema e parë është dialogu, taksa, këto tema kanë me i pas, çka do që iu thonë sot temën e parë e ka dialogun. Nëse një qeveri që nuk ka me mujtë me e kry dialogun, përsëri ka me shkua vendi në zgjedhje, këto janë tema që e presin vendin. Duhet me pas guxim me iu thënë qytetarëve çka e pret vendin, duhet me pas guxim me shkua me u ul atje në tavolinë edhe mençuri. Guxim intelektual jo primitiv", tha ai.

Para qytetarëve të Prizrenit Limaj tha se prioritet të qeverisjes e kanë zhvillimin e bujqësisë, ku tha se për katër vitet e ardhshme kanë paraparë 500 milionë euro investime në bujqësi. Limaj tha se prioritet do të kenë edhe mbështetjen dhe promovimin e prodhuesve vendor. Prioritet tjetër Limaj tha se e kanë diasporën, paketën sociale, sigurimin social dhe sigurimin shëndetësor. Kreu i Nismës edhe në Prizren tha se prioritet gjatë qeverisjes së tij do ta ketë reformën në drejtësi, ku ai tha se e di se çka është padrejtësia, sepse është përballur me padrejtësi për vite me radhë.

Pretendenti për kryeministër tha se qeveria e ardhshme do të negociojë për marrëveshjen me Serbinë dhe Kuvendi do të miratojë atë marrëveshje. Prandaj sipas tij, është e rëndësishme cilët deputetë do të votojnë për atë marrëveshje.

"Të gjitha parashikimet flasin që qeveria e ardhshme dhe Parlamenti i Kosovës, qeveria do të negociojë marrëveshjen me Serbinë dhe Parlamenti i ardhshëm ka mundësi të votojë atë marrëveshje. Është shumë e rëndësishme çfarë deputetë po qojmë në Parlament atje, kush janë ata njerëz që kanë me e ngrit dorën për një marrëveshje dhe nga ajo marrëveshje do të varet edhe fati i këtyre fëmijëve që ende nuk kanë lindur", tha Limaj.

Limaj tha se ata që tentojnë të bëhen deputetë me mashtrime edhe në Kuvend do të bëjnë mashtrime. I pari i Nismës edhe nga Prizreni u ka bërë thirrje kandidatëve që të përballen në një debat, që sipas tij është e vetmja mundësi që qytetarët të dinë se çka mund të ofrojnë për Kosovën. Ai ka ripërsëritur se ka kandidatë që duan të bëhen kryeministër e që asnjëherë nuk kanë pasur një punë. Limaj tha se ka shumë respekt për kundërkandidatët, por që tha se për ta është shumë herët për ta marrë këtë përgjegjësi.

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se kandidati i tyre për kryeministër është ndër të paktët që gjithë jetën ka punuar për vendin. Sherifi u bëri thirrje anëtarëve të Nisma Socialdemokrate që të mos ndalen së kërkuari votën për Fatmir Limajn.

"Kemi nevojë që ne këtu që jemi të dalim shtëpi për shtëpi, lagje për lagje dhe të mos ndalemi së kërkuari mbështetje për kandidatin tonë për kryeministër. Le të jenë këto zgjedhje referendum, jo për partitë, po për kandidatët, le të jenë këto zgjedhje si një garë ku të mos shihen vetëm partitë apo kandidatët, por të shihet cili nga këta kandidatë është më i përgatituri ta udhëheqë qeverinë e Kosovës në vitet që po hyjmë. Ne jemi të bindur që ky është Fatmir Limaj", tha ai.

Ndërsa, kryetari i degës në Nismës në Prizren, Zafir Berisha tha se duhet një mobilizim i të gjithëve që ta bëjnë projektin e Nismës fitues dhe Fatmir Limajn kryeministër.

"Kosova sot ka nevojë të ketë njerëz të vendosur, njerëz të dëshmuar dhe këtë kategori të njerëzve e gjeni në ekipin e Nismës. Jam shumë i bindur në emër tuaj dhe të gjithë bashkëpunëtorëve Nisma Socialdemokrate do të del forca më serioze në qytetin e Prizrenit", tha ai.

Kandidatët për deputetë nga Nisma të regjionit te Prizrenit janë Zafir Berisha, Albulena Bala-Halimaj, Afrim Bekteshi, Arbana Hajdari, Shukri Quni, Hasan Ahmetaj, Afrim Tejeci dhe Adem Qemajli