Prishtina humb “trilerin” kundër Legias në Varshavë

Prishtina humb “trilerin” kundër Legias në Varshavë

Basketbollistët e Prishtinës nuk kanë arritur të kualifikohen në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve. Bardhekaltrit e kryeqytetit kanë pësuar humbje edhe në ndeshjen e kthimit në Varshavë kundër Legias, në një ndeshje tejet dramatike dhe atë vetëm pas dy periudhave shtesë.

Në fakt, në kohën e rregullt Prishtina fitoi me dy pikë epërsi, me rezultat 69:67, epërsi me të cilin kishte fituar edhe skuadra polake në Prishtinë, kështu që skuadra që do ta siguronte kualifikimin u desh të përcaktohej në kohën shtesë.

Vendasit ishin më të mirë në çerekun e parë që e fituan me rezultat 24-20, kurse Prishtina u kundërpërgjigj në dy çerekët e radhës duke i fituar 18-19 dhe 8-20. Në çerekun e katërt vendasit ishin sërish më efikas, duke e mbyllur këtë periudhë me epërsi 17-10.

Në vazhdimin e parë të dyja ekipet shënuan nga shtatë pikë dhe si rrjedhojë rezultati  ishte 74-76, ndërkaq në vazhdimin e dytë skuadra polake ishte më e mirë dhe arriti në fund t’i gëzohet fitores, me shifrat 85:83.

Pas kësaj humbjeje Prishtina do t’i vazhdojë garat në fazën e grupeve në FIBA Europe Cup, garë që ka marrë pjesë në katër vitet e fundit.

Te Prishtina më efikasi ishte Divine Myles me 26 pikë, derisa spikatën edhe Mikaile Tmusiq që shënoi 17 pikë dhe Dardan Berisha me 14 pikë.