Takim për zhbllokimin e situatës në arsim në Kamenicë

Takim për zhbllokimin e situatës në arsim në Kamenicë

Zyrtarë të Ministrisë se Arsimit do të takohen nesër me kryetarin e  Komunës se Kamenicës, Qendrim Kastrati, në përpjekje për tejkalimin e gjendjes pas vendimit të kreut komunal të Kamenicës për mbylljen e 19 shkollave të kësaj komune në emër të reformave në arsim. Vendimi për mbylljen e këtyre shkollave është duke u kundërshtuar ashpër nga Sindikata e Arsimit, nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët lokalë.


Vendimi i kryetarit të Komunës së Kamenicës për mbylljen e 19 shkollave  ka hasur në kundërshtime të mëdha të banorëve lokalë, nxënësve dhe SBASHK-ut. Kryetari i Sindikatës se Arsimit, Rrahman Jahsharaj, i tha Radio Kosovës se në lidhje me këtë, pritet që ditën e hënë  të mbahet një takim në mes të përfaqësueseve të Ministrisë së Arsimit dhe kryetarit të Komunës se Kamenicës.

"Takimin e fundit që kemi pasur këto ditë me drejtorin e departamentit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, që e vlerësoj si njeriun që ka më së shumti autoritet për këtë situatë, më  ka premtuar që ditën e hënë do të realizojë një takim me kryetarin e Komunës se Kamenicës dhe të tjerët, dhe po them që edhe ai është kundër mënyrës se si ka vepruar Kastrati. Këtë ja ka thënë edhe në praninë time në një takim që kemi pasur në Ministrinë e Arsimit”, ka theksuar Rrahman Jasharaj.

Po ashtu, Jasharaj tha se Sindikata, pas takimeve që ka pasur me Ministrinë e Arsimit, ka kërkuar që ky vendim i kryetarit të Kamenicës për mbylljen e shkollave, të anulohet për një periudhe të caktuar.

“ I bëj apel Kastratit që t’i lë inatet dhe ta lë ketë çështje për një periudhë kohore. Pas analizave dhe vlerësimeve të përgjithshme  që do të bëhen, të zgjidhet çështja në nivel të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërsa zyrtarë të Ministrisë se Arsimit kanë theksuar që janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të sindikatës për të arritur te një zgjidhje sa me të shpejtë.

E kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha për Radio Kosovën se vonesat që po bëhen në zbatimin e këtij vendimi, ka mundësi të ndikojnë në humbjen e vitit shkollor për nxënësit e këtyre shkollave.

“Fëmijët vijimin e shkollimit fillor dhe atë të mesëm të ulët e kanë të obligueshëm  për ta ndjekur dhe  është problem që këta fëmijë mund të dëmtohen dhe ta humbin vitin. Dhe duhet në të ardhmen me përsërit vitin, se nëse nuk e ndjekin mësimin në një institucion arsimor që e përcaktojnë organet që e kanë përgjegjësi, atëherë nuk konsiderohet që e kanë ndjekur shkollimin”, ka thënë Kastrati

Kryetari i Komunës se Kamenicës, Qendron Kastrati, këtë vendim e ka marrë  në kuadër të reformave në arsim.

Autor: Ardiana Hajzeri


MË SHUME NGA Nacionale