Drita i shmanget humbjes në sekondat e fundit të ndeshjes

Drita i shmanget humbjes në sekondat e fundit të ndeshjes

Drita ka arritur t’i shmanget humbjes në frymën e fundit para tifozëve të vet në duel me Trepçën’89, në kuadër të javës së 6-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra nga Mitrovica ka kaluar në epërsi në minutën e 27-të, me golin e shënuar nga Arb Manajt. Këtë epërsi “minatorët” arritën ta ruajnë deri në minutën e fundit të kohës shtesë, kur pas presionit të vazhdueshëm gjilanasit arritën të barazojnë shifrat, me golin e shënuar nga Fortunato. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër Feronikeli ka shënuar fitore si mysafir në Klinë në duel me Dukagjinin, me rezultat 2:0. Kampionët e zhbllokuan rezultatin vetëm në minutën e 54-t kur pas një harkimi të shkëlqyeshëm të Mendurim Hotit nga e majta, Kastriot Rexha u shkëput bukur dhe me gjuajtje me kokë e nguliti topin në rrjetën e Flamur Nezirit. Ndërkaq, golin e dytë “Nikli” e gjeti në minutat shtesë, kur Mevlan Zeka doli i vetëm para portierit të vendasve dhe pa ndonjë vështirësi shënoi për rezultatin përfundimtar, 2:0. Ndeshja e tretë e ditës së sotme zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:00, ku takohen Prishtina dhe Gjilani.