Shillova ia sjellë tri pikë Prishtinës në duel me Gjilanin

Shillova ia sjellë tri pikë Prishtinës në duel me Gjilanin

Goli i shënuar nga Alban Shillova në minutën e tretë të kohës shtesë ia ka dhënë fitoren Prishtinës në derbin e javës së 6-të në Ipko Superligë kundër Gjilanit.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në orët e mbrëmjes dhuroi një lojë shumë interesante dhe me raste të shumta. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 13-të me golin e realizuar nga Ergyn Ahmeti. Me këtë epërsi bardhekaltrit e kryeqytetit shkuan në pushim. Në pjesën e dytë gjilanasit ishin shumë këmbëngulës për ta arritur barazimin, por këtij qëllimi ia arritën vetëm në minutën e 84-t, kur Bedri Greca shënoi nga brendësia e zonës. Edhe pas këtij goli u zhvillua lojë e hapur, ku të dyja skuadrat kërkonin edhe golin e fitores, por që fati i buzëqeshi Prishtinës. Luhej minuta e tretë shtesë kur Leonit Abazi asistoi për Alban Shillovën, e ky me një manovër të shkëlqyeshme u lirua nga mbrojtësit gjilanas dhe gjuajti saktë për ta çuar topin në rrjetën e Haxhihamzës, për të vulosur shifrat përfundimtare të ndeshjes 2:1. Kësisoj, Armend Dallku e nisi me këmbë të mbarë punën e tij të re si kryetrajner i Prishtinës, pasi dje e mori drejtimin e skuadrës pas dorëheqjes së papritur të Bylbyl Sokolit. Me këtë fitore Prishtina ka 7 pikë, derisa në mesjavë do ta zhvillojë ndeshjen e mbetur kundër Dukagjinit dhe do të ketë mundësi të mirë për t’iu afruar edhe më shumë dyshes kryesuese Feronikelit dhe Gjilanit që kryesojnë renditjen me nga 12 pikë.