Osmani: Do ta dekriminalizojmë drejtësinë nëpërmes procesit të Vetingut

Osmani: Do ta dekriminalizojmë drejtësinë nëpërmes procesit të Vetingut

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë e Prishtinës, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se qeveria e drejtuar prej saj, do të garantojë pavarësi të sistemit të drejtësisë, ndërsa nëpërmes procesit të Vetungut, do të bëhet dekriminalizimi i saj.

Duke u përgjigjur në pyetjen e të rinjve se si do të fuqizohet sistemi i drejtësisë në vend, Osmani ka thënë se e vetmja rrugë është Vetingu dhe mospërzierja totale e Qeverisë.

Idetë që qeveria ta ndërroj kryeprokurorin janë kundërkushtetuese, sepse neve na duhet normalitet në sistemin e drejtësisë.

“Vetingu nënkupton që të bëhet një vlerësim i pavarur ndërkombëtar për secilin gjykatës dhe prokuror, jo sikur në vitin 2008 kur është bërë vetëm një testim”, tha Osmani.  

Ajo ka shtuar se ne jemi dëshmitarë që dora e krimit ka vendosë për njerëzit në sistemin e drejtësisë, prandaj kjo dukuri nuk do të tolerohet në të ardhmen.

Osmani ka thënë se të gjitha Bordet e kompanive publike që i menaxhon qeveria dhe kanë performancë negative, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, do të shkarkohen dhe do të shpallet konkurs i hapur publik me ndihmën e projektit nga Ambasada Britanike.

“Të gjitha bordet që kanë performancë negative do të shkarkohen. Ambasada Britanike e ka një projekt me Qeverinë e Kosovës që me i mbikëqyrë krejt konkurset në institucione. Ne e kemi ndërmend me e rritë prezencën e Ambasadës Britanike sepse ata nuk kanë interes me i dhanë përparësi dikujt në baza partiake”, ka thënë Osmani.

Ajo potencoi se libreza partiake nuk do të jenë më kriter i punësimit por vetëm meritokracia. “Nëse na nuk e krijojmë meritokracinë si bazë, atëherë kemi me dështu. Politikanët vijnë e shkojnë ndërsa shtylla më e rëndësishme mbesin shërbyesit civil”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se me fitoren e LDK-së në zgjedhje do të dëgjohet shumë më tepër zëri i të rinjve.

“Të rinjtë tanë në perëndim kanë dëshmuar se në kushte të barabarta asnjëherë nuk mungon suksesi. Për mua, ekipin që drejtoi dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, kjo nuk është vetëm një garë politike, por një momentum historik që do të përcaktojë të ardhmen e të rinjve tanë për 20 vitet e ardhshme”, tha Osmani.

Sa i përket pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, Osmani premtoi se e konsideron të pamundshëm që të krijojë dhe as të zbatoj një plan qeverisës pa pjesëmarrjen e rinisë.

“Qeverinë dhe qeverisjen unë nuk e shoh si vend akomodimi, por si vend shërbimi. Zëri i të rinjve do të dëgjohet shumë më tepër pas 6 tetorit me fitoren tonë në zgjedhje. Të rinjtë janë potenciali më i madh që ka Kosova dhe është e pamundur që të ecim përpara si shoqëri pa aktivimin e këtij resursi jetik për vendin”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.