Pompeo: Refuzoni kërkesën e Pekinit për të kthyer ujgurët në Kinë

Pompeo: Refuzoni kërkesën e Pekinit për të kthyer ujgurët në Kinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që të refuzojnë kërkesën e Pekinit për të riatdhesuar ujgurët etnikë në Kinë, vend në të cilin të drejtat thuhet se iu shtypen.

Pompeo ka thënë se ndalimi i ujgurëve myslimanë nga Pekini në rajonin perëndimor të Kinës, Xinjiang, nuk ka të bëjë me terrorizmin siç pretendon Kina, mirëpo është përpjekje për të “zhdukur” kulturën e këtij minoriteti.

“Dua ta bëj të qartë se fushata shtypëse e Kinës në Xinjiang nuk ka të bëjë me terrorizëm. Ka të bëjë me tentimin e Kinës për të zhdukur qytetarët e vet. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të rezistojnë në riatdhesimin e ujgurëve”, ka thënë Pompeo.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një takimi në Nju Jork me ministrat e Jashtëm të pesë shteteve të Azisë Qendrore, Kazakistanit, Kirgizisë, Taxhikistanit, Turkeministanit dhe Uzbekistanit, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Xinjiang kufizohet nga Kazakistani, Kirgizia dhe Taxhikistani, vende në të cilat jetojnë shumë ujgurë.

Ekspertët e OKB-së dhe aktivistët kanë thënë se të paktën 1 milion ujgurë dhe anëtarë të grupeve më të mëdha minoritare, janë ndaluar në kampe në rajonin Xinjiang.

Pekini insiston se këto zona të ndalimit janë qendra “profesionale” me qëllim të zhvillimit të aftësive.