Sot tri ndeshjet e tjera të javës së 6-të në Ipko Superligë

Sot tri ndeshjet e tjera të javës së 6-të në Ipko Superligë

Sot në orën 15:00 zhvillohen tri ndeshjet tjera të javës së 6-të në IPKO Superligë.

Pa dyshim ndeshja më interesante pritet të jetë ajo ndërmjet Flamurtarit dhe Llapit, me llapjanët që kanë ambicie të mëdha për titullin kampion. Një fitore e mundshme në këtë transfertë do t’i ngjiste automatikisht llapjanët në vendin e katërt, me 2 pikë më pak se Feronikeli dhe Gjilani, por me pikë të barabarta me Dritën.

Lojë e hapur pritet të jetë edhe ajo ndërmjet Ferizajt dhe Drenicës, pasi përballen dy skuadra me pozita thuajse të njëjta në renditje. Fitorja 0-1 në fushën e Dukagjinit, pas 3 humbjeve radhazi, ka ndryshuar pozitivisht atmosferën në skuadrën e drejtuar nga Bekim Isufi. Është mjaft interesant fakti që Ferizaj 2 fitoret që i ka marrë në këtë sezon i ka arritur në sfidat jashtë shtëpisë, kështu që duhet të thyejë një tabu: të sigurojë fitoren e parë në shtëpi.

Ndeshja e tretë e ditës është Ballkani-Vushtrria, takim në të cilin vendësit janë dukshëm favoritë. Ekipi nga Suhareka e shfrytëzon shumë mirë faktorin fushë, falë entuziazmit që përcjellin tifozët, kështu që për Vushtrrinë parashikohet një ndeshje e vështirë, ku edhe barazimi do të konsiderohej mjaft pozitiv.