Shqipëria mobilizohet pas tërmeteve, bëhet thirrje për qetësi

Shqipëria mobilizohet pas tërmeteve, bëhet thirrje për qetësi

Rrugët e Tiranës të dielën në mbrëmje u mbushën nga qytetarët e shqetësuar pas goditjeve të një pas njëshme që goditën bregdetin e Shqipërisë gjatë dy diteve të fundit.

Shumë prej tyre vendosën të kalojnë natën jashtë shtëpive nga frika se goditjet e forta mund të përsëriten.

Kjo dalje masive e qytetarëve rreth mesnatës erdhi si pasojë e një lajmi të rremë i cili qarkulloi nëpër rrjete sociale, ku paralajmërohej një tërmet i fuqishëm.

Panika e krijuar shtyu autoritetet e rendit të shoqërojnë dy autorët e këtij lajmi nga dy portale të ndryshme.

“Policia e Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijoi frikë e panikë tek qytetarët".

"Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajmeve që krijojnë frikë e panikë tek qytetarët”, bëri të ditur Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media.

Për këtë ngjarje reagoi edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë Aleksandër Lleshaj i cili tha se ata që nxisin panikë do të përballen me ligjin.

“Ata që në vend të solidaritetit njerëzor zgjodhën të nxisin tinëzisht dhe djallëzisht panikun, duke kontribuar kështu për të favorizuar gjithë llojet e krimit, do të përballen me ligjin. Policia ka kryer ndërkohë veprimet e para”, shkroi Lleshaj në Twitter.

Në anën tjetër, pas tërmetit të fuqishëm të pasdites të së shtunës, janë regjistruar mbi 350 lëkundje e goditje të tjera, të një intensiteti më të ulët, mes të cilave dhe dy goditje të tjera të forta.

Sipas bilancit të fundit të bërë të ditur nga Ministria e Mbrojtjes, mbi 900 banesa dhe pallate kanë pësuar dëme.

Qindra njerëz kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e Tiranës dhe Durrësit, por askush nuk është në rrezik për jetë.

Ministria e Arsimit ka vendosur që dita e hënë të jetë pushim nga shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, pas vlerësimit se këto janë zonat më te prekura dhe se disa nga shkollat në këto qytete kanë pësuar plasaritje të mureve.

Edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, të hënën në mengjes, përmes një postimi në Facebook u kërkoi qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe t’i rikthehen përditshmërisë së tyre.

Në anën tjetër, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka zhvilluar një mbledhje pasditen e së dielës, ku është miratuar një fond emergjence për banorët e prekur nga tërmeti i një dite më parë, i cili dëmtoi me qindra ndërtesa edhe në kryeqytet.

Fondi i miratuar është 1 milionë dollarë, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj bëri të ditur se 80 përqind e këtij fondi do të shkojë për të prekurit në kryeqytet, ndërsa 20 përqind e tij do të jepet si solidaritet për Bashkinë e Durrësit ku ishte edhe epiqendra e tërmetit të fuqishëm me magnitudë 5.8.

Qendra Sizmologjike Europiane Mesdhetare me anë të një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter” iu drejtua qytetarëve të Shqipërisë, duke sqaruar se askush nuk mund të parashikojë tërmetet dhe bëri thirrje për qetësi.

Në Durrës kryesisht, por edhe në Tiranë, shumë banorë e kaluan natën jashtë gjatë gjithë fundjavës për shkak të frikës nga lëkundjet e forta të tokës.

Stadiumet e qyteteve u hapën për ta, me shtretër dhe çadra të vendosura për t'i strehuar.

Lëkundja e parë e fortë e tërmetit u regjistrua të shtunën në orën 16:05 me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe intensitet 7.5 ballë.

Tërmeti i së shtunës pasdite ishte më i madhi i rregjistruar në 20-30 vitet e fundit.

Ai u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet më të ulët./REL


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare