Gërxhaliu: Në projektet infrastrukturore Kosova humb shumë tokë bujqësore

Gërxhaliu: Në projektet infrastrukturore Kosova humb shumë tokë bujqësore

Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, tha se zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet i prioriteteve në qoftë se Kosova mendon të shkëputet nga e kaluara dhe të jetë e orientuar drejt ardhmërisë.

“Një zhvillim ekonomik duhet të jetë i bazuar në ekspertizë shkencore, në sundim të rendit dhe ligjit, në të mësuarit nga përvojat e vendeve dhe shteteve më të avancuara dhe në rritjen e përgjegjësisë institucionale dhe individuale. Kaluan 20 vite pas luftës dhe Kosova edhe më tutje nuk ka plan nacional zhvillimor apo strategji zhvillimore ku do të kishte një studim të fizibilitetit si orientim i sektorëve zhvillimor dhe të qëndrueshëm për aspektin strategjik”, tha ai.

Sipas tij njeriu për ta ditur se ku dëshiron të shkoj duhet ta dijë së pari se ku është dhe prandaj lindin pyetjet “Pse ndodhë kjo?”, “Ku jemi ekonomikisht si Kosovë?” dhe “Pse nuk e dimë ku do ta kemi zhvillim e ekonomisë në periudha kohore afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata?”.

“Ekonomia e një vendi nuk zhvillohet me vendime institucionale ad-hoc, ku këto vendime janë më së paku në interes të shtetit dhe të ardhmërisë së këtij shteti e më shumë të orientuara për përfitime të grupeve të caktuara të interesit përmes lidhjeve me politikën. Deri sa Kosova do të ketë institucione të shtetit të privatizuara për interesa të të tjerëve dhe me këtë nivel të ulët të llogaridhënies, do të jemi shumë larg nivelit të ëndërruar dhe të dëshiruar të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Njëri ndër sektorët sipas tij si potencial për zhvillim nga politikanët vendor është ai i bujqësisë, por edhe më tutje Kosova është vendi me trendin më të madh të importeve të produkteve agroindustriale.

“Nga fakti që subvencionet dhe donacionet e ndara nga dikaster të caktuar janë shumë më tepër të korruptuara dhe të orientuara politikisht e dëshmon fakti se në Kosovë flitet për bujqësi por ajo është selektive, jo transparente dhe e orientuar vetëm për interesa të caktuara që dëshmon sa është i rëndësishëm sundimi i rendit dhe ligjit për Kosovën në të gjitha sektorët e në veçanti edhe në atë të bujqësisë. Është e vërtetë që shoqëria kosovare me qëllim apo pa qëllim është shndëruar në shoqëri të varur nga importi dhe një shoqëri e varur nga importi është e paragjykuar paraprakisht për eksportim të parasë së gatshme që siguron varfërim dhe jo prosperitet. Fakti që qeveritarët tonë promovojnë rritje ekonomike prej 4% brenda një viti e dëshmon më së miri se indikatori kyç i kësaj rritje është rritja e konsumit. Në qoftë se nuk ke prodhim vendor që të plotësohen nevojat e qytetarëve atëherë ndodhë që përmes importit të pakontrolluar të kemi varfërim, inflacion, moszhvillim, mos mbrojtje të qytetarëve dhe mbi të gjitha demotivim të bujqve dhe fermerëve vendor që të mirën me këtë sektor”, tha a.

“Jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur se tregtarët në Kosovë janë më të afërmit me politikën dhe rregullat e tregut i caktojnë më shumë ata se sa oferta dhe kërkesa reale e cila sjellë deri tek një degradim i produktit vendor dhe favorizim të atyre nga importi”, tha ai.

Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, vlerësoi se shqetësimi më i madh është edhe me faktin tjetër se në rrugët e realizuara deri më tani, Kosova ka humbur 551 hektarë në rrugët dyshifrore dhe 692 hektarë në autoudhë, në rrugët në ndërtim e sipër Kosova është duke humbur 280 hektarë në rrugë dyshiritore dhe 110 hektarë në autoudhë dhe në rrugët e planifikuara sidomos në këtë kohë të kampanjës zgjedhore Kosova do ti humb edhe 573 hektarë tokë në rrugë dyshiritore dhe 880 hektarë në autoudhë që në total Kosova humb gjatësi prej 687 kilometra të shëndëruara në 3,086 hektarë dhe atë duke shumëzuar gjatësinë e rrugës me vlerën mesatare të gjerësisë së rrugës prej 50 metra.

“Në kohën kur për projekte të pa analizuara dhe pa studim fizibiliteti të bëhen investime pa benefite ekonomike dëshmon politizimin e skajshëm të ekonomisë në Kosovë me qëllim të përfitimit të grupeve të caktuara të interesit dhe jo këto projekte të jenë në interes të shtetit dhe qytetarëve. Si duket mënyra më e shpejtë dhe më amorale e të qenit i pasur në politikë është investimi në asfallt dhe shkatërrimi i tokës bujqësore e cila në mënyrë të pakontrolluar dhe bizare po keqmenaxhohet çdo ditë e më shumë”, tha ai.

Autor: RTKlive