Lajmi i rremë, Shahini: Të ndërtojmë kurrikulat për edukimin mediatik

Lajmi i rremë, Shahini: Të ndërtojmë kurrikulat për edukimin mediatik

Në një deklaratë për shtyp, teksa lajmëroi nisjen e mësimit ditën e nesërme, ministrja e Arsimit, Besa Shahini ceku edhe temën e lajmit të rremë rreth një tërmeti të fuqishëm, që panikosi mbrëmë shqiptarët.

“Unë gjej rastin të dënoj edhe një rast të paprecedentë, atë të mbrëmjes së djeshme të përhapjes së një lajmi të rremë “parashikues” të një tërmeti tjetër, i cili shtoi më tepër panikun e ankthin te njerëzit! Organet e drejtësisë po merren me ata që publikuan lajmin e rremë,  ngaqë njoftimet e rreme që përhapin panik janë të dënueshme me ligj. Ajo që duhet të mbajmë në mend është se TËRMETET NUK MUND TE PARASHIKOHEN ASNJËHERË! – ndaj lajme të tilla në të ardhmen, ju lutem mos t’i merrni seriozisht. Rasti i mbrëmshëm na dha sinjal të fortë neve si Ministri e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që duhet urgjentisht të ndërtojmë kurrikulat për edukimin mediatik të nxënësve, në mënyrë që t’i pajisim ata me informacione se si të bëhet dallimi i një lajmi të rremë nga një lajm i vërtetë.”, u shpreh ajo, transmeton oranews.

Më tej tha:

“Flasim vazhdimisht se si lajmet e rreme cënojnë demokracinë. Por në fakt, dje u dëshmua që ato cënojnë edhe sigurinë e qytetarëve dhe duhet luftuar me çdo kusht. Çfarë na mësojnë vendet që kanë të zhvilluara kurrikulat për alfabetizmin mediatik? Të mbështetemi tek burimi i informacionit. Nëse shihni një lajm bombastik, gjendet në një portal anësor si ai i mbrëmshmi, mos e merrni seriozisht. Shihni televizionet kryesore për të konfirmuar lajmet shqetësuese. Pra, mbështetuni tek burimi i informacionit dhe mos besoni gjithçka që botohet në portale. Për fund, dua ta përsëris edhe një herë: jemi plotësisht gati për rifillimin e mësimit në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Si dhe, do t’i pajisim nxënësit me informacion se si të evitohen lëndimet gjatë fatkeqësive natyrore që mund të ndodhin në të ardhmen.”


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare