Çfarë mund të pritet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së këtë javë?

Çfarë mund të pritet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së këtë javë?

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që nis këtë javë në Nju Jork do të jetë vend i diskutimeve të një vargu krizash në botë, duke nisur nga ngrohja e planetit, pasiguritë ekonomike dhe konfliktet që kërcënojnë përshkallëzim të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të Lindjes së Mesme.

Lufta tregtare, migrimi, furnizimi me energji, ndryshimet klimatike dhe zhdukja e varfërisë është thënë se do të jenë temat kyçe në agjendën e Asamblesë me 193 anëtarë.

Mirëpo, veprimet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, e cila ndonjëherë ka shprehur përbuzje për institucionet ndërkombëtare sikurse Kombet e Bashkuara, duket se krijojnë një emërues të përbashkët.

Disa liderë nuk do të jenë pjesë e Asamblesë, sikurse presidenti kinez, Xi Jinping apo Vladimir Putin nga Rusia, njëjtë sikur Benjamin Netanyahu, që po përballet me rezultatet e zgjedhjeve në Izrael.

Aty nuk pritet të shihet as presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, legjitimiteti i të cilit nuk njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 qeveri tjera në botë.

Mirëpo një tjetër figurë e mirënjohur, siç presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të jetë aty.

Lideri ukrainas pritet të takohet me presidentin Trump teksa janë rritur shqetësimet se lideri amerikan e ka përfshirë atë në çështje të politikës së brendshme amerikane.

Para nisjes së takimit, ekzistojnë edhe pyetje se çfarë do të thonë qeveritë sidomos ajo e Pakistanit për vendimin e Indisë që t’i heqë autonominë Kashmirit që drejton, ka thënë e përditshmja amerikane, The New York Times.

Të dielën Trump është parë me kryeministrin indian, Narendra Modi në një marsh në Hjuston duke brohoritur për liderin e Indisë.

Bolsonaro, el-Sisi, Erdogan

Disa nga përballjet e para mund të nisin që në fillim të javës.

Presidenti Trump do të ketë afër vetes këtë javë liderë me mendësi të ngjashme kur të nisë fjalimet e planifikuara.

Trump do të paraprihet nga presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili ndonjëherë quhet edhe “Trump i Vogël” dhe konsiderohet figurë përçarëse në shtëpi, pasi njëjtë si Trumpi hedh poshtë shqetësimet për ndryshimet klimatike.

Pas fjalimit në Trumpit, në listë është presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, ish-gjeneral ushtarak, ndonëse figura e tij është bërë e dyshimtë pas protestave që kanë nisur javën e kaluar në vendin e tij.

Dhe më pas vjen presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, një autokrat, i cili ka sulmuar kritikët dhe qeveria e të cilit njihet për burgosje të gazetarëve.

Ndër të tjera gjatë Asamblesë pritet edhe që Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite që ngirisn zërin për Iranin.

Deri ditë më parë, ka pasur thashetheme se Trump do të shënojë histori, meqë do të takohet me presidentin iranian, Hasan Rohani.

Mirëpo sulmi i 14 shtatorit në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, ka bërë këtë takim të pamundshëm, meqë SHBA-ja dhe zyrtarët sauditë kanë konsideruar se Irani është fajtor për këtë akt.

Zyrtarët amerikanë pritet të prezantojnë ato që i konsiderojnë të dhëna se Irani ka kryer sulmin me donë dhe raketa.

Irani në anën tjetër mohon këto akuza.

Rebelët Huthi të Jemenit, që përkrahen nga Irani, në luftën e tyre kundër koalicionit të udhëhequr nga sauditët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin në rafineritë saudite./REL