Gjykimi ndaj ish-zyrtarit në Malishevë, dëshmitari, kablloja ishte i KEDS-i

Gjykimi ndaj ish-zyrtarit në Malishevë, dëshmitari, kablloja ishte i KEDS-i

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kanë dhënë dëshminë e tyre dëshmitarët Hasan Alija dhe Agron Lusha, në gjykimin ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Ismet Mazreku, i akuzuar për keqpërdorim detyre.

Mazreku akuzohet se me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni”, të cilën i pandehuri edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, sipas aktakuzës, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Hasan Alija, i cili ka qenë kryepunëtor në kohën kur është instaluar kablloja në fshatin Gajrak të Malishevës, tha se kablloja ka qenë investim i kompanisë së tij, respektivisht KEDS-it.

Prokurori Ali Uka e pyeti dëshmitarin nëse është në dijeni se banorët e asaj lagje e kanë siguruar një kabllo rreth 410 metra nga Komuna e Malishevës për këtë projekt, dëshmitari Alija tha se nuk ka njohuri, duke shtuar edhe njëherë se investimi i bërë në atë lagje ka qenë nga KEDS-i.

Më pas, prokurori Uka ia ka treguar gjatësinë dhe dimensionet e kabllos të siguruar nga Komuna e Malishevës, duke e pyetur se çfarë lloj kablloje është ajo, dëshmitari tha se kabllo me këto shifra ata nuk përdorin dhe se nuk ka dijeni se ekziston kjo lloj kablloje në treg me këto shifra.

Ai shtoi se nëse shkohet ne vend të ngjarjes mund të konstatohet se çfarë lloj kablloje është vendosur në atë lokacion.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Agron Lusha, i cili ka qenë depoist në depon e KEDS-it në Gjakovë.

Ai tha se kablloja është tërhequr në depon e Prishtinës dhe direkt është dërguar në lokacionin e saj, dhe se arsye se pse nuk ka ardhur njëherë në depon e Gjakovës, ka qenë për shkak se kablloja ka qenë e dëmtuar, dhe se nëse do të transportohej disa herë do të dëmtohej edhe më shumë.

Ndryshe, në seancën e së hënës ishte e paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari Muharrem Hoti, mirëpo ai ashtu siç kishte munguar edhe në seancën paraprake ka munguar përsëri, e që sipas mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Emrush Kastrati dëshmitari nuk ka pranuar që të vijë pasi që nuk ka pranuar thirrje nga Gjykata, për të cilin më pas gjykatësi Nikollë Komani tha se është ftuar në mënyrë të rregullt, por që nuk është kthyer fletëkthesa.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 17 tetor 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi