Dështon të nis gjykimi ndaj ish-drejtorit të Administratës në Prizren

Dështon të nis gjykimi ndaj ish-drejtorit të Administratës në Prizren

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa të akuzuarit Ilir Baldedaj, dhe mbrojtësit të tij, avokatit Visar Haxhibeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Baldedaj, gjykatësi Xheladin Osmani, ka thënë se ka prova që i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mosardhjen nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa, për mungesën e avokatit Haxhibeqiri, gjykatësi Osmani, ka thënë se ai më 20 shtator 2019, e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin fillestar për shkak të një termini për vizë.

Gjykatësi Osmani, ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e shqyrtimit fillestar, andaj ka marr vendim që seanca të shtyhet më 28 tetor 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj, akuzohet se me 13 maj 2018,  e deri më 22 maj 2018 , në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen pasurisë jo financiare, laptop dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhet se për tre laptop të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19.350.00 euro.

Ndryshe, Ilir Baldedaj edhe në një rast tjetër akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai më 25 maj të vitit 2018, si ish-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, në rastin ku akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të administratës komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.  /BetimipërDrejtësi