“Më lexo mendjen” skaneri më i fuqishëm në botë nga shkencëtarët francezë

“Më lexo mendjen” skaneri më i fuqishëm në botë nga shkencëtarët francezë

Kjo pajisje lexon trurin. Shkencëtarët në Francë po zhvillojnë një skaner shumë të fuqishëm duke përdorur një supermagnet që do të prodhojë grafi truri të një cilësie tepër të lartë dhe që mund të shpjegojë më mirë funksionet neurologjike si dhe të zbulojë sëmundje që në zanafillë. Magneti gjigant, mund të ndihmojë në diagnostikimin më të mire të sëmundjeve si Alzaimer.

“Shpresojmë që ky magnet të na lejojë ne që të kuptojmë më mirë trurin tonë dhe se si funksionon ai, si dhe të studiojmë karakteristika që janë speciale për qenien njerëzore, si për shembull muzika, matematika dhe gjuha”, tha drejtori shkencor i projektit Nicolas Boulant.

Pajisja përdor fushat e fuqishme magnetike dhe radiovalë për të prodhuar imazhe të detajuara për brendësinë e trupit. Magneti i projektit të quajtur “Iseult”, është 5 metra i gjatë dhe 5 i gjerë si dhe peshon 130 tonë, sa pesha e një balene blu.

“Ne kemi nevojë për një fushë të lartë magnetike për të prodhuar grafi të rezolucionit të lartë. 11.7 Tesla është 230 mijë herë më e fuqishme se fusha magnetike e tokës”, shpjegoi inxhinieri Lionel Quettier.

Shkencëtarët francezë theksojnë se kjo pajisje do të vendoset në funksion të plotë vitin e ardhshëm.