Shtyhet rigjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të “Eco-Higjiena”

Shtyhet rigjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të “Eco-Higjiena”

Ka dështuar të fillojë rigjykimi ndaj zyrtarit të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, në Gjilan, Senad Ramaj, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Si shkak i këtij dështimi, ishte mungesa e prokurorit Isuf Sadiku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri, njoftoi se këtë lëndë fillimisht e ka përfaqësuar ish-prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Ismajli, i cili tashmë është sekretar në Këshillin Prokurorial, ndërkaq më pastaj më të, është ngarkuar prokurori Isuf Sadiku, i cili sipas gjykatësit, është i zënë në një seancë tjetër dëgjimore.

Gjykatësi Shaqiri, seancat tjera lidhur me këtë rast i ka caktuar të mbahen më 8 dhe 13 nëntor 2019, me fillim në ora 9:00.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza zyrtarin e “Eco Higjiena”, Senad Ramaj.

Lidhur me këtë vendim të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte bërë Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit, më 16 maj 2019, e kishte aprovuar ankesën e prokurorisë, duke e kthyer rastin në rigjykim dhe vendosje.

Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores është i paqëndrueshëm, pasi i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 12 të KPPK-së.

Sipas aktakuzës, Senad Ramaj, në pozitën e anëtarit të bordit të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e zyrtar, ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16,249.30 euro.

Një gjë të tillë, i akuzuari pretendohet se e ka bërë duke formuar komisionin për shitjen e aseteve me vendim të falsifikuar dhe pa i respektuar procedurat e shpalljes së ankandit publik.

Asetet e lartpërmendura, sipas prokurorisë, më 6 janar të vitit 2012, janë vlerësuar në kontabilitet në shumën prej 80,576.83 euro.

Në aktakuzë thuhet se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale-ekonomike, në këtë mënyrë që kompaninë “Eco Higjiena” e ka dëmtuar për 64,327.53 euro. /BetimipërDrejtësi