Ish-gjykatësi Kolë Puka dhe pesë avokatë deklarohen të pafajshëm

Ish-gjykatësi Kolë Puka dhe pesë avokatë deklarohen të pafajshëm

Ish-gjykatësi Kolë Puka dhe pesë avokatët Zef Marleku, Lon Palushaj, Isa Salihi, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi janë deklaruar të pafajshëm për vepra penale që lidhen me korrupsion dhe krim të organizuar.

Aktakuza e PSRK-së, lidhur me këtë rast përmban veprat penale “krim i organizuar”, “nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore” “keqpërdorim i pozitës apo autorizimit zyrtar”, “mashtrimi” dhe vepra tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë të akuzuarit e kanë bërë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Merita Bina-Rugova, ish-gjykatësi Kolë Puka ka mohuar në tërësi akuzat që i ngarkoheshin.

“Unë e kam kuptuar aktakuzën, dhe deklaroj para gjykatës se unë nuk e ndiej veten të fajshëm për këto pika të aktakuzës që më ngarkojnë”, tha ish-gjykatësi Puka.

Më pas, i akuzuari Puka tha se kjo aktakuzë nuk mund të qëndrojë si e tillë, duke shtuar se një numër i veprave penale që përfshihen në të janë përfunduar me aktgjykime të formës së prerë, dhe ajo për krim të organizuar sipas tij, është hedhur poshtë si e pabazuar.

I pafajshëm për veprën penale keqpërdorim i besimit është deklaruar edhe i akuzuari Zef Marleku, i cili shtoi se e ndiente veten të diskriminuar.

“Jam konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësin tim, dhe nuk e ndjej veten të fajshëm për asnjë. E ndjej veten më të diskriminuar, veç edhe në kryq me më gozhdu s’ka mbet gjo tjetër”, tha i akuzuari Marleku.

Deklarim të ngjashëm lidhur me pafajësinë e tyre kanë bërë edhe katër të akuzuarit e tjerë, Lon Palushaj, Isa Salihi, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi për veprat penale keqpërdorim i besimit,  mashtrim dhe keqpërdorim detyre, me të cilat ata ngarkohen.

Pas deklarimit të të akuzuarve për fajësinë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli ka njoftuar ata se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Më pas, gjykatësi Konxheli njoftoi se shqyrtimi i dytë në këtë çështje penale nuk do të mbahet.

Ndryshe, ky rast fillimisht kishte qenë në Departamentin e Krimeve të Rënda, mirëpo me funksionalizimin e Departamentin Special, në seancën e 17 prillit 2019, kishte kaluar në këtë departament.

Aktakuza e parë për këtë rast ishte ngritur më 12 dhjetor 2013, ndërsa ishte precizuar me 14 nëntor 2014, 30 qershor 2017 dhe 14 gusht 2017.

Sipas aktakuzës, të gjithë të pandehurit kishin marrë pjesë në grupin e strukturuar kriminal, i cili ka vepruar në kohë dhe hapësirë të caktuar e që objekt sulmi kanë qenë kompanitë e sigurimeve që kanë qenë duke vepruar në Republikën e Kosovës.

Këtë grup, aktakuza thotë se e ka krijuar, udhëhequr, mbikëqyrur e kontrolluar ish-gjykatësi i Klinës, Kolë Puka.

Sipas aktakuzës, Puka arriti të krijojë marrëveshje me anëtarët e grupit kriminal që të imagjinojnë raste gjyqësore, të nxjerrin vendime të kundërligjshme, të falsifikojnë dokumente, të paraqesin rrejshëm fakte, të keqpërdoret pozita apo autoriteti zyrtar, si dhe të mos respektohet kompetenca gjyqësore. E krejt kjo, siç thuhet, me qëllim që të ketë përfitim të kundërligjshëm të mjeteve financiare me vlera të mëdha, në dëm të të tjerëve në kohë sa më të shpejtë dhe sa më të lehtë.

Sipas aktit akuzues, Puka kishte lidhur marrëveshje për përfitim të kundërligjshëm me avokatë të cilët ishin të parët në zinxhirin e aktivitetit kriminal pas Kolë Pukës, si Zef Marleku dhe Lon Palushaj.

Në aktakuzë thuhet se Zef Marleku, i ka dhënë autorizim Pukës që të ketë qasje në xhirollogarinë e tij bankare, përmes të cilës ka operuar me vlera të mëdha në mënyrë të kundërligjshme. Pastaj, është lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e Kompanive të Sigurimeve në mënyrë që gjatë shqyrtimit gjyqësor të pajtohen me propozimet-vendimet e Kolë Pukës nga pozita e gjyqtarit si Isa Salihaj, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi. E më tutje, aktakuza thotë se u krijua marrëdhënie edhe me mjekët specialistë, kryesisht të ortopedisë si tani të ndjerin Bedri Bakalli.

Ky aktivitet, sipas aktakuzës, ka zgjatur nga viti 2004, deri në vitin 2008. Me këtë aktivitet, sipas aktakuzës, kanë ndarë mes vete në mënyrë të kundërligjshme vlerën prej 1.225.927.93 euro.

Aktakuza thotë se me veprimet e të gjithë të pandehurve, përfshihen elementet e veprës penale të krimit të organizuar.

Kolë Puka akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore e keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar.

Zef Marleku dhe Lon Palushaj akuzohen për keqpërdorim të besimit. Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi akuzohen për mashtrim dhe keqpërdorim detyre, si dhe Isa Salihu akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar.

Ndryshe, Kolë Puka, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër penal dhe i cili më 28 qershor të vitit 2017, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 48 muaj burgim efektiv, 5.000 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet.

Puka ishte shpallur fajtor në tre nga katër pikat e aktakuzës për të cilat akuzohej.

Për pikën e parën të aktakuzës, nxjerrje e vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, Puka është shpall fajtor dhe është dënua me 18 muaj burgim.

Për pikën e dytë të aktakuzës, keqpërdorim i pozitës zyrtare, vepër e cila u rikualifikua për shkak se është ligj më i favorshëm, gjykata e  kishte shpallur Kolë Pukën fajtor dhe e ka dënuar me 24 muaj burgim.

Ish-gjyqtari Puka ishte gjetur fajtor edhe për pikën e tretë të aktakuzës, pastrim i parave, dhe ishte dënuar më 18 muaj dhe 5.000 euro dënim me gjobë.

Ndërkohë, për veprën penale të shmangies nga tatimi, gjykata e kishe shpallur Pukën të pafajshëm.

Kurse, më 14 dhjetor të vitit 2017, Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar dënimin me burgim ish-gjykatësit Kolë Puka.

Nga i akuzuari janë konfiskuar paluajtshmëritë e përfituara nga kryerja e veprës penale më vlerë mbi një milion euro (1.000.000.00) dhe atë, një banesë në Klinë, një banesë në Prishtinë, patundshmëria (në të cilën është e ndërtuar një shtëpi) në Ulqin, të Malit të Zi, në sipërfaqe prej 308 m2, patundshmëria (livadh) po në Ulqin, në sipërfaqe prej 171 m2, një lokal afarist në Klinë, një automjeti “Audi A6”, si dhe mjetet financiare nga shtija e dy lokaleve afariste.

Po ashtu, ish-gjykatësi Puka me 4 shkurt 2019, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë edhe për pastrim të parave dhe është dënuar me një vit burgim dhe me 3.000 euro gjobë.

Ky aktgjykim ishte shpallur nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, pasi Puka ishte gjetur fajtor se gjatë viteve 2004 – 2008, duke qenë i vetëdijshëm që paratë ishin produkt i aktivitetit kriminal dhe me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave në vlerë prej 1.200.000 euro, kishte blerë prona të ndryshme.

Në aktakuzë thuhet se Puka në Klinë kishte blerë dy apartamente, një lokal dhe një ndërtesë dy katëshe, në Mal të Zi kishte blerë dy parcela, ndërsa në Prishtinë, në lagjen “Ulpiana”, kishte blerë një apartament. /BetimipërDrejtësi