Agjenti i sigurimeve mohon se përvetësoi mbi 18 mijë euro

Agjenti i sigurimeve mohon se përvetësoi mbi 18 mijë euro

Agjenti i sigurimeve, Muhamet Statovci, në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Ai po akuzohet se  ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme 18,271.96 euro nga kompania e sigurimeve “Kosova e Re”,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para se i akuzuari të deklarohej rreth fajësisë, ai ka bërë të ditur se nuk është pajisur me kopje të aktakuzës.

Prokurori Rafet Halimi, ka bërë të ditur se disa herë e kanë kontaktuar në telefon nga prokuroria për ta pajisur me aktin akuzues dhe se i akuzuari u kishte thënë se do të shkojë, mirëpo nuk është paraqitur për t’i marrë.

Më pas, pasi që të akuzuarit i është dhënë aktakuza dhe pasi që atë e ka lexuar prokurori Halimi, i akuzuari ka deklaruar se e kupton aktakuzën, duke thënë se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

I akuzuari Statovci ka deklaruar se që 18 vjet punon në kompani të sigurimeve dhe se nuk ka pasur njohuri për këto fatura.

“Nuk po muj me kuptu për çka janë këto faturat. Unë ato pare i kam marr për shkak të punës që kam bo”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kurrë nuk ka pasur probleme dhe se ende punon në kompaninë e njëjtë private.

Por, pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, ai është udhëzuar nga gjykatësi Hoti, lidhur me të drejtën e tij për paraqitje të kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 30 tetor, me fillim nga ora 9:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Muhamet Statovci, në cilësinë e personit zyrtar – agjent i sigurimeve në kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”, gjatë periudhës kohore të vitit 2014- 2015, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore në atë mënyrë që i njëjti përmes faturave fiktive të cilat i ka nënshkruar dhe i ka dorëzuar në arkën e të dëmtuarës, kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, e ka tërhequr shumën e parave në vlerë të përgjithshme prej 18,271.96 euro, duke i përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme, me ç ‘rast kësaj kompanie i ka shkaktuar dëm. /BetimipërDrejtësi