De Niro, Pacino dhe Scorsese, bashkë në një film të ri në Netflix

De Niro, Pacino dhe Scorsese, bashkë në një film të ri në Netflix

Robert De Niro dhe Al Pacino rikthehen bashkë me regjisorin Martin Scorsese në filmin e ri, “The Irishman” – “Irlandezi”. Filmi, në të cilin luan edhe aktori tjetër i famshëm Joe Pesci, është bazuar mbi jetën e Frank Sheeran, një vrasës me pagesë që ka punuar me disa prej figurave më famëkeqe të botës së krimit në Amerikën e shekullit XX.

Filmi flet për një prej mistereve më të mëdha të pazgjidhura në historinë amerikane, zhdukjen e sindikalistit Jimmy Hoffa (të luajtur nga Pacino) dhe zbulon tunelet e fshehta të krimit të organizuar, rivalitetet dhe lidhjet me politikën. Në një libër botuar nga Charles Brandt në vitin 2004, pretendohet se Sheeran, në shtratin e vdekjes, pranon se e ka vrarë ai Hoffa-n.

Traileri i filmit u publikua këtë të enjte nga Netflix, pak ditë para se të shfaqet për herë të parë në Festivalin e Filmit në Nju Jork, më 27 shtator. Ai do të shfaqet për pak kohë në kinema duke nisur nga 1 nëntori, ndërsa do të mund të shihet në Netflix duke nisur nga 27 nëntori.

Ky është bashkëpunimi i nëntë mes De Niro-s dhe Scorsese-s dhe i pari që prej filmit ikonë “Casino” në vitin 1995. Është filmi i katërt ku luajnë bashkë De Niro dhe Pacino (pas “The Godfather Part II”, “Heat” dhe “Righteous Kill”), i pesti ku luajnë bashkë De Niro dhe Pesci (pas “Raging Bull”, “Once Upon a Time in America”, “Goodfellas” dhe “Casino”), dhe i pari ku Pacino luan në një film të drejtuar ng Scorsese.


MË SHUME NGA Kulturë