Apeli e lë në paraburgim gjykatësin e dyshuar për korrupsion, Sali Berisha

Apeli e lë në paraburgim gjykatësin e dyshuar për korrupsion, Sali Berisha

Gjykata e Apelit, e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së gjykatësit të dyshuar për korrupsion, Sali Berisha, duke e lënë në fuqi masën e paraburgimit, që ishte caktuar ndaj tij.

Një gjë e tillë, është bërë e ditur nga Apeli përmes një komunikate për media.

“Departamenti Special i Gjykatës së  Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, të pandehurit S.B., kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji. Në këtë mënyrë, Apeli e ka lenë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 20.09.2019, sipas të cilit kjo masë do të zgjas deri më 19.10.2019″, thuhet në komunikatën e Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës se parë, drejtë ka vlerësuar se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprat penale në fjalë, ka bazë ligjore për caktimi  e paraburgimit ndaj ti,  konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, ngase ka arsye për të besuar se po të gjendet në liri, ai mund të ikë ose arratiset, më qëllim të shmangies se procedurës penale, apo të ndikoj në prova ose dëshmitarë dhe në këtë formë të pengoj rrjedhen normale të saj.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 shtator 2019, ia kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj gjykatësit të Gjykatës Themelore në Pejë, Sali Berisha.

Gjykatësi Berisha, ishte arrestuar më 19 shtator, pasi dyshohet për vepra penale që lidhen me korrupsionin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën dëgjimore, që është mbajtur pasditen e 20 shtatorit, ishte aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjykatësit Berisha.

“Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.B. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 par.1 të KPK-së dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 374par.1 të KPK-së”, thuhej në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Tutje, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, kishte shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, duke kaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

“Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit nga neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2, pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të KPPRK-së”, thohej komunikata e gjykatës.

Seanca dëgjimore në këtë rast ishte mbajtur me dyer të mbyllura, pasi që gjykatësi Valon Kurtaj nuk ka lejuar praninë e mediave dhe monitoruesve në sallë.

Pas kësaj seance, mbrojtja e gjyqtarit të suspenduar Sali Berisha, ka pretenduar se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka prova që do ta vërtetonte se ai ka kryer vepra penale të korrupsionit.

Në seancën dëgjimore që është mbajtur pasditen e së premtes, avokati Gëzim Kollqaku ka thënë se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimit të pozitës zyrtare” dhe armëmbajtjes pa leje, por jo edhe për marrje të ryshfetit.

“Nga shkresat e lëndës, ne i pranuam nga gjykata, i kemi parë që aty nuk ka asnjë provë më të voglën materiale për veprimet për të cilat dyshohet. Provat materiale krejt tregojnë ndryshe, tregojnë pafajësinë e të mbrojturit tim, dhe unë jam i bindur që i mbrojturi im në fund do të del i pafajshëm, ngase edhe unë siç e ceka tek gjyqtari i procedurës paraprake, asnjë veprim inkriminues që është cekur, nuk është cekur asnjë veprim inkriminues në dispozitivin e aktvendimit për fillimin e hetimeve”, kishte thënë avokati Kollqaku.

Ai kishte mohuar deklarimet zyrtarë të Policisë së Kosovës, se klienti i tij është zënë në flagrancë me dy mijë euro.

“Nuk është e vërtetë, ato policia mundet me fol, ika ato raporte e veta, por unë e di, jam konsultuar me të mbrojturin tim, unë e di se qysh kanë ardhur ato pare. Ka qenë një montazh prej një personi i cili e ka të kaluarën kriminale, i cili disa herë është dënuar për vepra penale të mashtrimit dhe ky i mbrojturi im vetëm ka ra grackën e mashtrimeve dhe dëshirës të ndonjë personi tjetër të caktuar” kishte thënë avokati Kollqaku.

Ai gjithashtu kishte mohuar se gjyqtari Berisha t’i ketë marrë edhe katër mijë euro, sic thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Nuk i ka marrë, asnjë provë materiale. Kam kërku sot prej Prokurorit, nuk ka provë materiale se i ka marrë, ajo është vec një deklaratë e ndoshta e atij personit, e që unë se kam pa hala atë deklaratë. Nuk e di, krejt duhet me i besu Prokurorit, që merr aktvendim, se sa manipulimet bohen, ato janë jo zyrtare, zyrtare është vetëm ky aktvendim për fillim të hetimit.”, kishte thënë avokati.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit.

Mbledhja e jashtëzakonshme e KGJK-së ishte thirrur një ditë pasi që është arrestuar gjykatësi Berisha, në të cilën ishte aprovuar kërkesa e Ushtruesit të Detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Sami Sharaxhiu, për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Sali Berisha.

Ndërkohë, Policia e Kosovës kishte njoftuar se përveç dyshimit për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ai dyshohet se ka kryer edhe veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacione nga viktima, që ka pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqësore, veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si dhe imazhin e sistemit gjyqësor. Gjatë procesit të hetimit preliminar janë ndërmarrë masat adekuate për të identifikuar formën e aplikuar më parë të korrupsionit nga i inkriminuari”, thuhej në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, në koordinim me Prokurorinë Speciale janë aplikuar praktikat e njohura nga Kodi i Procedurës Penale, duke u mbështetur fuqishëm në një hetim profesional të bazuar në dëshmi.

“Gjatë aplikimit të masave hetimore kemi siguruar dyshimin e bazuar se i inkriminuari ka kërkuar realizimin e ofertës, në atë mënyrë që i njëjti kërkon/pranon përfitimin material, (kohë më parë dyshohet se janë dorëzuar nga viktima dhe janë pranuar nga i dyshuari i lartshënuar katër mijë (4.000.00) euro), në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në cilësinë e gjyqtarit”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu thuhej se gjatë operacionit policor, të zhvilluar më 19 shtator 2019, i dyshuari ka kërkuar apo pranuar shumën prej dymijë eurove, për të përmbyllur ofertën e precizuar në proces për të finalizuar shumën prej gjashtëmijë eurove, në lidhje me lëndën penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë.

“Pas arrestimit i dyshuari është kontrolluar në prezencën e avokatit mbrojtës, në zyrën e NJRHKEK-së Pejë, me ç’rast i janë gjetur në xhep paratë dymijë (2.000.00) euro, të cilat janë përdorur për aplikimin e masës së fshehtë ‘simulim i veprës së korrupsionit’. Me aprovim verbal të prokurorit, është kontrolluar banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar: • një armë zjarri, tipi Zaza-min, kalibër: 8mm • një karikator dhe dhjetë (10) fishekë të kalibrit 8mm • dhjetëmijë euro (10.000.00) euro • shkresa, aktgjykime dhe proces verbale gjyqësore Me urdhër të prokurorit special, i dyshuari është ndaluar në qendër të mbajtjes për 48 orë”, thuhej tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sali Berisha është gjykatës në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Pejë. /BetimipërDrejtësi