Sërish dështon gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës

Sërish dështon gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës

Për të tretën herë me radhë ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të prokurimit në këtë ministri, Besim Tahiri, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Besim Tahiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Tahiri, avokati me autorizim zëvendësues, Urim Vokshi ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij është i sëmurë dhe nuk mund të prezantojë në këtë gjykim.

Më pas, avokati Vokshi ia ka dorëzuar gjykatës dokumentacionin mjekësor, të cilin tha ta ketë pranuar të premten, për të arsyetuar mungesën e të akuzuarit Tahiri.

Ndërsa, në këtë seancë kanë prezantuar dëshmitarët Erza Arifi dhe Hysni Dobërqani, të cilët ishte planifikuar të dëgjoheshin.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e këtij gjykimi, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e ka shtyrë seancën më 20 nëntor, nga ora 09:30, për të cilën me ftesë të rregullt do të ftohet i akuzuari Besim Tahiri.

Ndryshe, edhe seancat e 17 qershorit dhe ajo e 30 korrikut 2019, kishin dështuar të mbaheshin.

Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin, është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, por që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut, për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

Bekteshi, sipas kësaj aktakuze, thuhet se derisa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Sipas aktakuzës, ai kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.

Ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim të lartë 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik “Famis”, me çmim më të lirë prej 961.590.16 euro, i ishte pamundësuar fitimi i tenderit edhe pse ishte me oferte më të lirë.

Ndërsa, Besim Tahiri po akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.

Ndërsa, aktakuza të akuzuarin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”,  e ngarkon me veprën penale “falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sallahu edhe pse e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtet. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë. /Betimipërdrejtësi