Pesë kandidatë për kryeprokuror special, 4 për kryeprokuror të Prishtinës

Pesë kandidatë për kryeprokuror special, 4 për kryeprokuror të Prishtinës

Pesë kandidatë i kanë hyrë garës për tu zgjedhur në pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e së premtes, i ka bërë të ditur emrat e kandidatëve për këtë post.

Për të parin e Prokurorisë Speciale janë Haki Gecaj, Atdhe Dema, Armend Hamiti, Blerim Isufaj dhe Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje janë bërë të ditur edhe emrat e kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku në garë për këtë post janë, Kujtim Munishi, Valdet Gashi, Fitore Sadikaj dhe Fatmir Behrami.

Ndërkohë, nga gara është eliminuar prokurori Ibrahim Berisha.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni ka thënë se pasi janë shikuar shkresat e të gjithë kandidatëve, kanë parë se ndaj Ibrahim Berishës ka pasur dy masa disiplinore.

“Një masë e qortimit e shqiptuar në vitin 2016. Kjo masë nuk është pengesë për kandidim, mirëpo, ndaj Berishës në vitin 2017, është shqiptuar edhe një masë disiplinore, qortim me ndërmarrje të veprimeve korrigjuese, e kjo masë paraqitet si pengesë për kandidim për kryeprokuror. Për këtë arsye është vendosur të eliminohet nga gara”, ka thënë Hyeni.

Ndaj këtij vendimi, prokurori Berisha ka paraqitur kundërshtim, mirëpo, KPK-ja me nëntë vota për dhe një abstenim nga kryesuesi Bahri Hyseni, është refuzuar kundërshtimi i Berishës.

Një referim të shkurtër të ankesës së Berishës, e ka bërë zëvendëskryesui i KPK-së, Arben Ismajli, i cili ka thënë se ankesa kryesisht ka të bëjë me masën e qortimit.

“Mirëpo, siç e tha edhe kryesuesi Hyseni, prokurori Berisha, ka pasur edhe një masë tjetër disiplinore, atë të qortimit me ndërmarrje të veprimeve korrigjuese, e cila masë është pengesë për statusin e kryeprokurorit, prandaj i propozoj Këshillit që të refuzoj ankesën e Berishës”, ka thënë Ismajli.

Ndryshe, KPK-ja në mbledhjen e mbajtur më 3 shtator kishte zgjedhur panelet vlerësuese për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Zgjedhja e këtyre paneleve, ishte bërë me anë të shortit, e ku përveç kryesuesit të KPK-së, Bahri Hyseni, i cili është anëtar ex-officio i këtyre paneleve, ishin zgjedhur edhe nga katër anëtar tjerë nga radhët e KPK-së.

Në panelin vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK-së, ishin zgjedhur si anëtarë, Bedrije Syla-Alshiqi, Radica Miliq, Dëshirë Jusaj dhe Zejnullah Gashi. Si anëtar të komisionit për rishqyrtim janë zgjedhur, Arben Ismajli, Aleksandër Lumezi dhe Ikramije Bojaxhiu.

Si komision rezervë për këto panele, ishin zgjedhur anëtarët, Haxhi Sinanaj dhe Merita Bina-Rugova.

Edhe paneli vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ishte zgjedhur në përbërje të njëjtë, sikurse ai për Kryeprokurorin e PSRK-së, me të vetmin dallim, që në vend të Zejnullah Gashit, në panelin për Kryeprokuror të Prishtinës, ishte zgjedhur Merita Bina – Rugova.

Ndërsa, në komisionin për rishqyrtim të këtij paneli, ishin zgjedhur, Ikramije Bojaxhiu, Haxhi Sinanaj, Arben Ismajli, ndërsa si komision rezervë, Zejnullah Gashi dhe Aleksandër Lumezi.

Të dy këto panele ishin votuar unanimisht nga ana e anëtarëve të KPK-së.

Më 1 gusht të këtij viti, pas miratimit të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte shpallur konkurs për emërimin  e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës të së Kosovës (PSRK) dhe konkurs për emërimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili ishte mbyllur me 28 gusht.

KPK kishte dështuar dy herë gjatë këtij viti që të zgjedh Kryeprokurorin e PSRK-së.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 25 prill e kishte anuluar konkursin e shpallur për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK-së, me ç’rast prokurori Afrim Shefkiu, ishte caktuar si ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të PRSK-së.

“Raporti i Komisionit Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK-së është prezantuar nga anëtari i Komisionit Vlerësues, Haxhi Dërguti, me ç’rast anëtarët e Këshillit morën vendim që të anulohet konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, kurse në këtë kontekst, Këshilli ka autorizuar Komisionin për Çështje Normative që në afat sa më të shpejtë të hartojë Rregulloren për emërimin e kryeprokurorëve bazuar në  ndryshimet ligjore dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhej në komunikatë.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në mbledhjen e mbajtur më 10 prill, ku një proces i tillë ishte shtyrë për një datë tjetër, për arsye se KPK-ja kishte aprovuar kundërshtimet e dy kandidatëve që nuk ishin nominuar për fazën finale, Atdhe Dema dhe Armend Hamiti.

Në atë mbledhje, KPK-ja kishte kërkuar nga Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve që ta arsyetonte më shumë raportin ku kishte rekomanduar për këtë post, ish-kryesuesin e KPK-së Blerim Isufaj dhe prokurorin Haki Gecaj.

Pasi që KPK-ja kishte kërkuar plotësimin e raportit, Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve, edhe në herën e dytë ka rekomanduar për votim kandidatët Haki Gecaj dhe Blerim Isufaj, duke mos ndryshuar asgjë sa i përket poentimit.

Kryetari i këtij komisioni, prokurori Besim Kelmendi, në atë kohë, kishte thënë për “Betimi për Drejtësi” se raporti është plotësuar sipas kërkesës së KPK-së dhe ai u është dërguar palëve.

Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve për Kryeprokuror të ri të PSRK-së, edhe në herën e parë kishte rekomanduar ish-kryesuesin e KPK-së, Blerim Isufaj, të cilin e kishin vlerësuar me 40.1 pikë, kurse Haki Gecaj, ishte vlerësuar me 42.9 pikë.

Kurse, dy kandidatët që nuk kishin kaluar në fazën finale, Atdhe Demaj, ishte vlerësuar me 31.8 pikë, ndërsa Armend Hamiti ishte poentuar me 29.2.

Deri më tani, pozitën e Kryeprokurorit të PSRK-së e ka mbajtur prokurori Reshat Millaku.

Millaku ishte zgjedhur në krye të PSRK-së më 16 shtator 2016.

Zgjedhja e kryesuesit të ri të PSRK-së, është bërë pasi që Millaku është pensionuar me 4 prill të këtij viti, derisa anëtarët e KPK-së janë njoftuar për këtë më 10 prill të këtij viti.

Konkursi për Kryeprokuror të ri të PSRK-së është hapur nga KPK-ja, më 1 mars 2019 dhe është mbyllur më 15 mars 2019.

Më 1 mars 2019, në ditën kur ishte shpallur konkursi për kryeprokuror të ri të PSRK-së, KPK-ja kishte miratuar dorëheqjen e Blerim Isufajt nga pozita e anëtarit të KPK-së. /Betimipërdrejtësi