1 tetori dhe “viza” amerikane

1 tetori dhe “viza” amerikane

Shkruan: Driton Lajçi

Ishte muaji gusht, ishte viti 1997. Ne drejtuesit e Lëvizjes Studentore morëm ftesën që të merrnim pjesë në një takim, siç thuhej, të rëndësishëm, që duhej të mbahej në Ambasadën e ShBA-së në Beograd. Lëvizja më dërgoi mua. Nuk e dija se kënd do ta takoja. Megjithatë, e dija se ishte me rëndësi thelbësore të përçohej qëllimi i protestave tona dhe të paraqitej drejtpërdrejt tek administrata amerikane. Ai që na kishte ftuar ishte emisari i presidentit Klinton për Ballkan, z. Robert Gelbard. Në takim ishin ambasadori i ShBA-së në Beograd, Richard Miles, sekretari i parë i Ambasadës që mbulonte Kosovën, Nicholas Hill (vëllai i Christopher Hillit), shefi i Zyrës së Kosovës, Michael McClellan, shefi në ardhje i zyrës informative, Richard W. Huckaby.

Në takim ishin të ftuar edhe përfaqësues të klasës politike. Z. Gelbard fliste me ton miqësor e herë qortues ndaj klasës politike të asaj kohe. Më pas z. Gelbard është kthyer kah unë duke shtruar pyetjen: Të shohim çfarë po ofrojnë studentët?

E kam thënë fjalën time për planet që bënim për aktivitet paqësor, jo të dhunshëm, studentor, duke potencuar dhunën ndaj studentëve dhe kërkesën për lirimin e objekteve universitare. Ishte pozicionim politik fillestar i profilit jo të lartë. Kërkesa për lirimin e objekteve shkollore dhe universitare me moto, “Sot, nesër është vonë”, dhe demonstrim paqësor dhe jo të dhunshëm studentor në rrugët e Kosovës. Ama synimi përfundimtar ishte liria e Kosovës. Z. Gelbard tha: Nëse demonstrimi juaj është paqësor, jo i dhunshëm, studentor, do ta keni mbështetjen e ShBA-së. Ne do të marrin pjesë në vrojtim të protestave studentore. Ashtu edhe ndodhi. Këtu morëm vizën e madhe për qëllimin tonë që të ecim drejt lirisë dhe paqes.

Këtë vit është përuruar Ambasada e ShBA-së në Republikën e Kosovës. Nga sot, 1 tetor 2019, shërbimi konsullor i Ambasadës do t’i japë të gjitha llojet e vizave në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë. Lajm i mirë për qytetarët tanë që nuk duhet të udhëtojnë në kryeqytetet rajonale për të aplikuar për vizë. Kjo është mrekullia e paqes, lirisë dhe pavarësisë sonë. Atëherë na duhej mbështetja për ta kundërshtuar të keqen, sot na duhet viza e udhëtimit, e shkëmbimit të përvojave, vizitave turistike, familjare, biznesit, arsimit, shoqërisë civile e fuqizimit shumëdimensionale të raporteve me ShBA-në etj. Në vitin 1997 dukej e pabesueshme se do të jetojmë këtë ngjarje në shtetin tonë të lirë, të pavarur, demokratik, me të drejta për minoritarët e Kosovës. Andaj këtë përvjetor ua dedikoi diplomatëve amerikanë që i përmenda më lart, që na dhanë mbështetjen jetike. Natyrisht, e ripërsëris rolin e madh të studentëve, rinisë, profesorëve, rektorit Statovci, gjithë gjeneratës sime, shokëve të Lëvizjes Studentore, familjeve tona që përjetuam çaste dramatike, flijuam dhe triumfuam kundër së keqes.

(Autori është një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore)