Kryeministri dhe konsumi i zgjedhjeve

Kryeministri dhe konsumi i zgjedhjeve

Nuk ka shtëpi dhe familje në Kosovë që nuk është bombarduar nga premtimet. Nga iluzionet për një jetë të dinjitetshme. Qofshin ato edhe qëllimmira.

Nga Ballsor Hoxha

Dhe po e njëjta bartet tek secili anëtarë i secilës familje dhe secilës bisedë. Kjo është nga shkapërderdhja dhe rrënimi i pësuar kohë më parë i shoqërisë sonë. Por në të vërtetë ky është konsum. Zgjedhja e kryeministrit është prodhim dhe konsum i një shoqërie të shkapërderdhur. E cila po tenton të rimëkëmb veten, por pa vetëdije. “Kryeministrat” një nga një janë reklama për një jetë më të mirë. Reklama si ato të lagjeve krejtësisht jashtëtokësore të ndërtuara sot.

Ky është prodhim i reklamuar. Në anën tjetë, në jetë si kjo e kosovarëve konsumi është tërë dëshmia e jetës. Konsumi është i barabartë me përjetimin dhe përjetimi me konsumin.

Në pamundësinë për të konsumuar me bollëk, është pikërisht konsumi që të dëshmon.Konsumi/përjetimi të bën sot. Aq më shumë në shoqërinë tonë. Të konsumosh do të thotë të jetosh. Por në të vërtetë sa më shumë që po rritet zgjedhja e konsumit aq më shumë po shkapërderdhet shoqëria.

Duke konsumuar  zgjedhje politike dhe kryeministra çdo nji apo dy vjet ne po konsumojmë pafundësinë e shkapërderdhjes së shoqërisë. Në të njëjtën kohë po përjetojmë ndërrimin dhe me këtë ndryshimin e premtuar nga secili kandidat për kryeministër. Ne po përjetojmë një dezintegrim të tërësishëm.

Dezintegrimi dhe shkapërderdhja e kësaj shoqërie duke ndodhur për shkak të shkapërderdhjes së vetë shoqërisë në panumër shtresa të konsumit. Po ashtu kryeministri është prodhim në këtë jetë. Sikur që ndërrohen mallrat dhe që ndërrohen prodhimet po ndërrohen edhe kryeministrat. Kryeministri duke qenë prodhimi, konsumi dhe përjetimi më i lartë i kësaj shoqërie.

Zgjedhja e kryeministrit është konsumi kryesor në Kosovë. Ky konsum prodhohet dhe shitet për çdo vit, apo dy vite. Është sikur për të harruar, apo për të shmangur vetëdijen. Të lodhur nga frustrimi dhe pamundësia ne prodhojmë kryeministra që zhvleftësohen në dokumente për kohë shumë të shkurtë.

Ne nuk kemi jetë të dinjitetshme. Nuk kemi jetë të pastër, as në praktikë dhe as në teori. Ne jemi të kontrolluar nga lufta jonë për mbijetesë. Aty - këtu harrnohemi nga përpjekjet për një mirëqenie. Dhe pajtohemi me gjëra krejtësisht të ima dhe të parëndësishme.

Si ndodh kjo? Kryeministri dhe mbijetesa jonë. Apo thënë më mirë Kryeministrat dhe konsumi ynë i tyre. Ne nuk jemi të vetëdijshëm për pamundësinë tonë. Për kufizimet tona, prej atyre të BE-së dhe të botës ndaj nesh, dhe deri tek ato të jetës sonë praktike. Ne nuk jemi të vetëdijshëm as për atë që bëjmë. Të lodhur nga mbijetesa kemi gjetur një zgjidhje që po na kushton edhe më shumë: konsumimin e zgjedhjeve politike dhe kryeministrave.

Në dramat si kjo që po e përcjellë Kosovën për sa dekada, shfaqen njerëz lider. Njerëz prijës dhe udhërrëfyes. Njerëz që e bartin peshën së bashku me popullin për të gjetur zgjidhje.

A nuk po e reklamon secila fushatë zgjedhore një kryeministër të ri? Pikërisht “kryeministrin” i cili do të na udhërrëfej jashtë. Jashtë ngarkesës për mbijetesë.Anuk shfaqet secili kandidat për kryeministër si përpjekje për të dalë jashtë kësaj tragjedie të konsumit, të mbijetesës. Të konsumit si dëshmi jete.

Është pikërisht shkapërderdhja e shoqërisë sonë e cila ka hasur në katastrofë përpjekjeje kolektive. Në përpjekje të gjithëmbarshme për të gjetur një zgjidhje. Dhe me këtë “kandidati për kryeministër” i secilës parti del si reklamë e konsumit më të lartë.

Kryeministri kalon në konsum kur është jashtë jetës praktike të qytetarëve të shoqërisë. Mirëpo edhe zgjedhja e tyre e shpeshtë është dëshmi e mashtrimit që i bëjmë vetes se po jetojmë. Se po përjetojmë. Se po dëshmojmë jetë.Qoftë edhe qëllimi i mirë i tyre, përpjekje për të dalë jashtë gjendjes së mbijetesës.