QKMF e Malishevës pajiset edhe me dy autoambulanca

QKMF e Malishevës pajiset edhe me dy autoambulanca

Urgjenca e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr.Shpëtim Robaj” në Malishevë, nga sot është pajisur edhe me dy autoambulanca.

Pas kryerjes së procedurave të blerjes së autoambulancave, sot edhe zyrtarisht, Kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Liridon Hoti, ja kanë dorëzuar veturat e ndihmës së shpejtë, drejtorit të QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina.

“Ne jemi duke e bërë të pamundurën që në të gjitha sektorët të investojmë në mjete, e sidomos në fushën e shëndetësisë, që gjithmonë do të jetë prioritet për ne, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira dhe më të shpejta shëndetësore”, the kryetari Begaj. “Uroj që sa më pak të përdoren këto autoambulanca, por dihet se janë tepër të nevojshme dhe besoj se këto autoambulanca, do të ju ndihmojnë juve në kryerjen e shërbimeve në raport me pacientët, kurse investimet dhe përkrahja për shëndetësi, nuk do të ndalet, por do të jetë e vazhdueshme”, tha Begaj, me rastin e dorëzimit të çelësave të autoambulancave për nevojat e QKMF-së.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Liridon Hoti, ka treguar se këto dy autoambulanca, i kanë kushtuar buxhetit komunal, rreth 62 mijë euro, ndërsa drejtori i QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina, tha se “tani i kanë pesë autoambulanca, të cilat janë të mjaftueshme për nevojat e shërbimit të urgjencës”.