VW krijon filial në Turqi përpara vendimit për ndërtimin e fabrikës

VW krijon filial në Turqi përpara vendimit për ndërtimin e fabrikës

Volkswagen (VW) ka ngritur një zyrë në provincën perëndimore turke të Manisa, sipas një regjistri biznesi të botuar sot në Gazetën Zyrtare të Turqisë, raporton Reuters.

Një zhvillim i tillë sugjeron që kompania po i afrohet vendimit përfundimtar për vendndodhjen e objektit të saj të ri prodhues, vlerëson agjencia britanike.

Filiali turk i VW do të ketë një kapital prej 943.5 milion lira (164.21 milionë dollarë) dhe kompania mëmë ka paguar një të katërtën e kësaj shume, raportoi Gazeta Zyrtare.

Pjesa tjetër, do të paguhet gjatë dy viteve të ardhshme. Filiali i Volkswagen në Turqi do të përqendrohet në hartimin, prodhimin dhe montimin e makinave, kamionëve dhe automjeteve të tjera, transmeton KosovaPress.

VW po eksploronte disa lokacione për ndërtimin e një fabrike të re në Evropën Lindore, dhe përveç Turqisë, konsideroi Bullgarinë dhe Serbinë si një destinacion të mundshëm për investimet e saj.

Një anëtar i bordit të VW u tha gazetarëve në Berlin javën e kaluar se kompania po i afrohej një vendimi për të ndërtuar një fabrikë të re në Turqi.

Sidoqoftë, një zëdhënës i VW tha sot për Reuters se kompania është ende në fazat e fundit të negociatave dhe nuk ka marrë një vendim përfundimtar për uzinën.