Asamblistja në Graçanicë kërkon përkthimin e aktakuzës në gjuhën serbe

Asamblistja në Graçanicë kërkon përkthimin e aktakuzës në gjuhën serbe

Pasi që e akuzuara për mos raportim apo raportim të rremë të pasurisë, Milica Siminoviç, ka kërkuar që aktakuza të jetë në gjuhën serbe, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka ndërprerë shqyrtimin fillestar, që është paraparë të mbahet të mërkurën.

Ajo akuzohet se nga 1 mars deri më 31 mars 2019, në cilësinë e asamblistes në Kuvendin Komunal të Graçanicës, nuk e ka deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor për periudhën kohore nga 1 janari deri me 31 dhjetor të vitit 2018, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e gjykatëses Sulltane Hoti, se a dëshironte e akuzuara t’i lexohej aktakuza në gjuhën shqipe pasi që do t’i përkthehej nga përkthyesja e gjykatës apo të ndërpritet seanca deri në sigurimin e aktakuzës në gjuhen serbe, e akuzuara Siminoviç ka kërkuar që të ndërpritej seanca.

Ndërsa, prokurori Shpend Krasniqi lidhur me këtë ka thënë se aktakuza është dorëzuar për përkthim.

“Unë e kam dorëzuar te bashkëpunëtorja ime që ta dërgoj për përkthim, meqenëse ka qenë kohë e pushimeve, unë nuk kam qenë i njoftuar se cilat kanë qenë arsyet se pse nuk është përkthyer, por do të bëjë përpjekje që aktakuza do të përkthehet dhe një kopje do t’i dorëzohet të akuzuarës”, ka thënë ai.

Prokurori Krasniqi është obliguar nga gjykatësja Hoti që brenda afatit prej shtatë ditësh që aktakuza të përkthehet dhe t’i dorëzohet të akuzuarës një kopje në gjuhën serbe.

Gjykatësja Hoti ka marr aktvendim që kjo seancë të ndërpritet, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 21 tetor 2019, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Milica Simonoviç, për veprën penale “mos raportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 par. 1 të KPRK-së.

Ajo akuzohet se nga 1 mars deri më 31 mars 2019, në cilësinë e zyrtares së lartë publike edhe pse ka qenë e detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare, e njëjta nuk e ka deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor për periudhën kohore nga 1 janari deri me 31 dhjetor të vitit 2018. /BetimipërDrejtësi