Dështon gjykimi për grabitjen e 50 mijë eurove në Istog

Dështon gjykimi për grabitjen e 50 mijë eurove në Istog

Për shkak të mungesës së prokurores Sahide Gashi dhe mbrojtësit të të akuzuarit Exhevit Zekiqi, avokati Bekë Lajqi, nuk ka arritur të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor, ku për grabitjen e mbi 50 mijë eurove po akuzohen Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiq.

Exhevit Zekiqi dhe Xhavit Berisha po akuzohen se kanë kryer grabitje në fshatin Kashicë të Istogut, nga ku sipas prokurorisë, kishin marrë 50 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, ka thënë se prokurorja Gashi nuk e ka arsyetuar mungesën për seancën e së mërkurës, në të cilën ishte e paraparë të jepej fjala përfundimtare, përkundër faktit se sipas tij, gjykata atë e kishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, ka thënë se avokati Lajqi, ka hequr dorë nga mbrojtja e të akuzuarit Zekiqi.

Gjykatësi Sharraxhiu tha se të akuzuarit Zekiqi do t’ia caktojë një mbrojtës sipas detyrës zyrtare, pasi ai dhe familjarët e tij nuk kanë angazhuar mbrojtës, e që në këtë rast penal për të cilin akuzohet i pandehuri, mbrojtja është  e detyrueshme.

Në këtë seancë ishin të pranishëm të akuzuarit Xhavit Berisha, me mbrojtësin e tij, avokatin  Ali Lajqi dhe i pandehuri Exhevit Zekiqi.

Seanca e radhës është caktuar më 13 nëntor 2019, nga ora 10:00.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 29 janar 2019, të pandehurit veç e veç, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin kryer grabitjen në shtëpinë e të dëmtuarve.

Ndërsa, në seancën e kaluar të mbajtur më 16 korrik, i akuzuari Berisha kishte deklaruar se po ta dinte se janë vetëm 50 mijë euro, nuk do të vinte nga Italia, pasi sipas tij, ai kishe ardhur për të kryer grabitjen, ngase kishte menduar se bëhet fjalë për 400 mijë euro.

Berisha kishte deklaruar se e kishte lëshuar shtetin e Italisë me të vetmin qëllim që të vijë në Kosovë për të kryer grabitjen në fshatin Kashicë të Istogut, së bashku me të pandehurin  Exhevit Zekiq, pasi sipas tij, kishte menduar se bëhet fjalë për grabitje të 400 mijë euro.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 14 dhjetor 2018, Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiqi, akuzohen se më 23 korrik 2018, rreth orës 11:30, në fshatin Kashicë të Istogut, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, kishin kryer grabitjen nën kanosje serioze ndaj të dëmtuarve Ilirada Shoshi dhe Edona Lajqi.

Sipas aktakuzës, pasi të pandehurit sigurohen se meshkujt kanë dalë nga shtëpia, shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit Agim Shoshi dhe i bien ziles së derës së shtëpisë.

Në momentin kur Ilirida Shoshi e hapë derën, i pandehuri Xhavit Berisha ia drejton armën dhe e shtynë derën me forcë dhe futet brenda duke hyrë pas tij edhe i pandehuri Exhevit Zekiqi me sëpatë në dorë.

I pandehuri Berisha, më pas e kap të dëmtuarën për flokë dhe nën drejtimin e armës e detyron të shkojë t’ia jep paratë e prindërve në shumë prej 50 mijë euro, gjersa i pandehuri Zekiqi, me sëpatë në dorë e kërcënon të dëmtuarën Lajqi se do tua heqë kokën asaj dhe fëmijës së saj nëntë muajsh, dhe ia merr një orë dore dhe dy celularë të tipit “Iphone 6” dhe “Iphone 7”, në vlerë prej 1.800 euro. /Betimipërdrejtësi