Tiranë: Tetori gjerman 2019 - Gur, gur bëhet URË

Tiranë: Tetori gjerman 2019 - Gur, gur bëhet URË

Tetori gjerman 2019 në Shqipëri ka si moto shprehjen: Gur, gur bëhet URË. Nga viti në vit, urat e shumta të bashkëpunimit kulturor dhe artistik mes Gjermanisë e Shqipërisë vijnë duke u forcuar dhe shumuar.

Nga viti 2007 kur Tetori gjerman erdhi për herë të parë në Shqipëri dhe deri në atë të sivjetmin, veprimtaritë e Tetorit gjerman kanë krijuar një traditë në jetën kulturore dhe artistike të vjeshtës që sa vjen e zgjeron publikun dhe dashamirësit, me risitë, veprat artistike të përzgjedhura, ngjarjet kulturore, diskutimet me protagonistë gjermanë dhe shqiptarë.   

Motoja e sivjetme  e javëve të artit dhe kulturës gjermane është „Gur, gur bëhet URË" - një shprehje e perifrazuar nga proverbi shqiptar „Gur, gur bëhet MUR". Perifrazimi është kuptimplotë: nga viti në vit, urat e shumta të bashkëpunimit kulturor dhe artistik Gjermani-Shqipërisë vijnë duke u forcuar dhe shumuar.

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, në prezantimin e Tetorit gjerman 2019,  të martën, (01.10.2019) vuri në dukje përkimin e këtij tetori me 30 vjetorin e rënies  së Murit të Berlinit, ngjarjes epokale që parapriu edhe ardhjen e demokracisë edhe në Shqipëri.

 

„Me moton „Gur, gur bëhet URË” dëshirojmë edhe këtë vit të ndërtojmë ura lidhëse midis kulturës shqiptare dhe gjermane, mes shoqërive tona dhe të kujtojmë rënien e Murit të Berlinit 30 vite më parë. Jemi të lumtur që vazhdojmë traditën e Tetorit Gjerman duke ofruar edhe këtë vit një program të larmishëm.", tha Ambasadori Zingraf në një konferencë shtypi të martën, në Ambasadën gjermane në Tiranë.

Lajtmotiv - 30 vjetori i Rënies së Murit të Berlinit

Përkujtimi i kësaj ngjarjeje vjen me Tetorin gjerman 2019 përmes një sërë aktivitetesh artistike që hapin siparin me mbrëmjen muzikore ”Gur, gur bëhet URË" , me muzikë klasike nga Beethoven, Schumann dhe  Dvorák. Nga Beethoven është përzgjedhur Uvertura e operas "Fidelio” të Beethoven-it.

"Me zgjedhjen e operës së vetme të Beethoven, "Fidelio” ngremë një urë me rastin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, që është lajtmotivi i Tetorit Gjerman 2019. Ideja qendrore tek "Fidelio”, e shfaqur për herë të parë në Vjenë në vitin 1805, është përpjekja për të qenë i lirë. Opera vë në qendër dy luftëtarë të lirisë dhe vullnetin e tyre për të çliruar veten nga kthetrat e shtypjes dhe burgosjes së padrejtë,” theksoi Enrico Guenther, Drejtor në Sektorin e Kulturës dhe Medias, në Ambasadën Gjermane, Tiranë.

Mbrëmja është një bashkëpunim gjermano-shqiptar: Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar do të ekzekutojë nën drejtimin e dirigjentit gjermano polak gjerman, Mateusz Moleda. 

Aktivitetet kushtuar 30 vjetorit të rënies së Murit  të Berlinit vijojnë me ekspozitën  artistike, ”Muri-kapërcimi dhe bashkimi” ku nxënës të gjimnazit "Lichtenstern” në Sachenheim dhe ata të shkollës artistike "Jordan Misja” në Tiranë kanë zgjedhur si pikënisje të punimeve të tyre artistike fenomenin e kufijve, punimet e tyre ndajnë, shkatërrojnë për të ribashkuar dhe riformësuar.

Shfaqja e filmit "Rruga Bornholm”, sipas emrit të ishullit danez në detin Baltik është një aktivitet tjetër kushtuar përkujtimit të 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Rruga Bornholm ka qënë një nga pikat e kalimit kufitar mes ish-Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, nga 1961-1990 dhe u hap kur ra Muri i Berlinit, më 9 nëntor 1989. Filmi është një vështrim komik i rënies së  Murit të Berlinit nga rojet në pikën kufitare Bornholm.

Një aktivitet tjetër  është edhe një simpozium kushtuar strategjive artistike të subversionit në art dhe aktivizmit në kontekstin e Murit të Berlinit. Marie Arleth Skov, një historiane arti daneze me banim në Berlin dhe kuratori berlinez Lutz Henke do të analizojnë në këtë simpozium qasjet estetike dhe metodike të artistëve që kanë bërë grafite dhe vizatime mbi Murin e Berlinit.

Jazz, teatër, filma, ekspozita fotografike, balet - larmi artistike- kulturore.

Tetori gjerman 2019 sjell në Shqipëri  Orkestrën Federale të Jazz-it (BuJazzO), një orkestër e mirënjohur rinore në Republikën Federale të Gjermanisë. Me programin  "A Tribute to Kenny Clarke-Francy Boland Big Band”( Për nder të grupin të  madh muzikor Kenny Clarke-Francy Boland) grupit të parë më të madh europian të Jazz-it në vitet '60, të drejtuar  nga amerikani Kenny Clarke dhe belgu Francy Boland, kjo orkestër vjen sivjet për të dytën herë në Shqipëri, pas Tetorit Gjerman 2005.

 

Shfaqjet teatrale, me një publik dashamirës përherë në rritje, janë pjesë e programit të Tetorit Gjerman 2019. Sivjet është përzgjedhur drama "Eldorado” , shkruar nga dramaturgu gjerman Marius von Mayenburg në vitin 2004 dhe realizuar në bashkëpunim me Qendrën Goethe në Tiranë. Një tregtar dinak dëshiron të hapë një biznes pasurish të patundshme në vende të largëta, të shkatërruara dhe të pushtuara. Autori synon të përҫojë idenë, se sistemi që nxjerr fitime në kurriz të njerëzve është i destinuar të vetëshkatërrohet.

Për dashamirësit e kinemasë do të shfaqen produksione të suksesshme gjermane të viteve të fundit, filma për fëmijë si edhe filmi "Virgjëresha e betuar dhe vajza” me subjekt traditën e burrneshave në Shqipërinë e Veriut. Filmi sjell në ditët tona dukurinë e betimit të grave për të jetuar si burra, veshur rroba me mashkullore, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, që veproi në Shqipërinë e veriut nga shekulli XV deri në shekullin XX. Duke u shndërruar në burrnesha virgjëreshat e betuara mund të trashëgonin pasurinë dhe të përfshiheshin në gjakmarrje kur meshkujt e familjes vriteshin si pasojë e gjakmarrjes.

Me mjaft interes pritet ekspozita fotografike „Unseen - Me sytë nga Evropa. Katër fotografë në rrugëtim", projekt i Institutit Goethe në Milano. Katër fotografë, Jutta Benzenberg (Shqipëri), Andrej Liankewitsch (Bjellorusi), Livio Senigalliesi (Itali) dhe Mila Teshaieva (Gjermani) analizojnë pasojat e transformimit të shpejtë të Evropës mbi njerëzit, familjet dhe komunitetet dhe zbulojnë efektet politiko-shoqërore tek individi. Punimet përqëndrohen në rajone të Evropës, që pas një periudhe prosperiteti ekonomik dhe social futen në krizë, preken nga fenomeni i emigrimit dhe shpopullimit.