Apeli i liron nga akuzat ish-drejtuesit e Agjencisë së Akreditimit

Apeli i liron nga akuzat ish-drejtuesit e Agjencisë së Akreditimit

Gjykata e Apelit i ka liruar përfundimisht nga akuzat për korrupsion, ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), Basri Mujën, ish-kryetaren e Këshillit Shtetëror e Cilësisë (KSHC) të AKA-së, Ferdije Zhushi-Etemin si dhe Armend Mujën.

Gjykata e Apelit i ka liruar përfundimisht nga akuzat për korrupsion, ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), Basri Mujën, ish-kryetaren e Këshillit Shtetëror e Cilësisë (KSHC) të AKA-së, Ferdije Zhushi-Etemin si dhe Armend Mujën.

Kështu, me vendimin e marr më 26 gusht të këtij viti, Apeli e ka refuzuar ankesën e ushtruar nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila kishte kërkuar nga Apeli që të anulojë aktgjykimin e Themelores dhe lëndën ta kthejë në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 29 janar 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte liruar nga disa pika të akuzës, Basri dhe Armend Mujën si dhe Ferdije Zhushi-Etemi, kurse për disa pika të tjera kishte marr aktgjykim refuzues.

Sa i përket të akuzuarve Basri Muja, Ferdije Zhuzhi-Etemi e Armend Muja për veprën penale për shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritet, si dhe të akuzuarit Basri Muja për marrje të ryshfetit, shkalla e parë kishte marr aktgjykim refuzues, pasi prokurori Naim Abazi, në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga këto pika për shkak të parashkrimit absolut.

Aktgjykim refuzues gjykata kishte shpallur edhe ndaj të akuzuarit për dhënie të ryshfetit Naim Braha, pasi për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit.

Për pikën 6 e 7 të dispozitivit të aktit akuzues në të cilat, Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi si dhe Armend Muja, e të cilët akuzoheshin për marrje të ryshfetit në vazhdim, si dhe i akuzuari Basri Muja për marrje ryshfeti, gjykata edhe për këtë kishte marr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit absolut.

Për pikat 3 e 4 të aktakuzës në të cilat akuzoheshin Basri Muja e Ferdije Zhushi-Etemi për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe Basri Muja e Zhushi-Etemi për marrje të ryshfetit në vazhdim, si dhe për veprën penale në dispozitivin 5 për keqpërdorim të pozitës, si dhe për dispozitivin e 9,  ku Basri Muja akuzohej për keqpërdorim të pozitës, shkalla e parë, në mungesë të provave, i kishte liruar nga këto akuza, pasi sipas tyre, nuk është vërtetuar se ata kanë kryer këto vepra penale.

E pakënaqur me vendimin e Themelores, PSRK ishte ankuar në Apel, pasi siç pretendonte në ankesën e saj, të akuzuarit Basri Muja dhe Ferdje Zhushi-Etemi kishin kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin dhe kjo sipas PSRK-së, vërtetohej me mos rekomandimin pozitiv për programin master për studime të sigurisë për kolegjin ISPE edhe pse një rekomandim të tillë e kishin dhënë ekspertët e jashtëm.

Po ashtu, sipas PSRK-së, fajësia e të akuzuarve ishte vërtetuar edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve Avni Mazreku, Alejtin Berisha si dhe masat e fshehta si vëzhgimi me video ne vendet publike, monitorimi i fshehte i bisedave në vendet publike dhe hetimi i fshehtë që kishte zbatuar prokuroria gjatë hetimeve.

Mirëpo, këto pretendime të PSRK-së, i ka hudhur poshtë si të pabazuara Gjykata e Apelit, e cila ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike.

“Gjykata e Apelit e Kosovës vlerëson se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i përfshirë me vërtetim te gabuar dhe jo te plote të gjendjes faktike  të pretenduara nga Prokuroria  por edhe ato për te cilat kjo gjykatë është e obliguar sipas detyrës zyrtare ti shqyrtojë. Gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsyet për faktet vendimtare duke arsyetuar secilën provë veç e veç dhe duke i ndërlidhur me njëra tjetrën, duke vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mosmiratimit të propozimeve konkrete të palëve duke dhënë arsye të mjaftueshme në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështjeje juridike e posaçërisht me rastin e mos vërtetimit të veprës penale ashtu siç e ka vendosur gjykata e shkallës së parë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të Apelit, për veprën penale nën pikën III qëndron pretendimi dhe vlerësimi i gjykatës së shkallës së parë se vetëm është përshkruar përmbajtja e dispozitës së nenit 422 të KPRK-së, por nuk janë përshkruar veprimet inkriminuese të akuzuarve gjegjësisht se kanë vendosur që kolegjit ne fjalë nuk duhet te akredituar programet e cekura më lartë.

Siç thuhet në vendimin e Apelit, kjo nuk mund të konsiderohet si veprim inkriminues e sidomos për faktin se rekomandimet e ekspertëve nuk e obligon KSHC-në që të veproj sipas rekomandimit dhe se KSHC ka lirinë e plotë akademike dhe profesionale ne vendimmarrje.

“Po ashtu KSHC ka gjithsej 9 anëtarë dhe kryesuesin që në rastin konkret ka qenë e akuzuara Ferdije, mirëpo anëtarët e bordit në mënyrë të pavarur votojnë dhe në rastin konkret në mënyrë unanime është vendosur mos akreditimi i programit master ne studime te sigurisë, ndërsa e akuzuara Ferdije kishte te drejtën e një vote nga gjithsej 9 sa kishte bordi anëtarë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjithashtu, Apeli i ka hudhur poshtë edhe pretendimet e prokurorisë se dëshmitarit Avni Marzreku në një takim i është kërkuar ryshfet e ku deklarata se i akuzuari Basri Muja, i kishte thënë Zhushi-Etemi “Avniu nuk na i ka krye obligimet si duhet” e që Zhushi-Etemi kishte përsëritur “e kemi përkëdhelur shumë e duhet me e rrite shkallën e pasojave,”, sipas Apelit,  këto janë vetëm fjalë të dëmtuarit, të cilat nuk janë faktuar me asnjë provë, përkundrazi ishte Mazreku, si pronar i Kolegjit ISPE që nuk kishte kryer obligime financiare ndaj Agjencisë së Akreditimit.

Sa i përket pikës V të akuzës, ku Basri Muja akuzohej për mos akreditimin e programit anglisht ne bachelor të kolegjit “Univesum”, përkundër rekomandimit pozitiv të ekipit të ekspertëve, ashtu që i akuzuari Basri këtë rekomandim në gjuhen angleze  e ka përmirësuar duke shënuar fjalën nuk rekomandohet, Apeli ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar me asnjë provë, se cili ishte raporti final dhe cili ishte rekomandimi në versionin e gjuhës angleze.

“Pra nuk u vërtetua me asnjë prove nga ana e prokurorisë se cili ishte draft raporti apo raporti final gjegjësisht faktin se cili ishte rekomandimi ne versionin e gjuhës angleze e që vërtetohet nga SMS i profesor Goodspeed e as nga ekspertet e qe emrat e tyre ishin te njohur  që ta vërtetoj nga ata se çfarë ishte sakte rekomandimi që kishin dhënë në draft raportin, por prokuroria është mjaftuar me një SMS gjegjësisht një pjesë e shkëputur e bisedës mes profesor Goodspeed dhe profesorit të Kolegjit Universum Agon Demjaha, e për të cilin dëshmitari Agpn e ka arsyetuar si bisedë të zhvilluar pasi që ishte i afërm me ekspertin dhe kishte raport shoqëror”, thuhet në vendimin e Apelit.

Basri Muja akuzohej edhe për tejkalim të kompetencave me rastin e punësimit në AKA të Albana Leci-Begut, mirëpo sipas Apelit, prokuroria nuk ka ofruar prova se dëshmitarja Albana Leci nuk ishte e kualifikuar për atë vend pune pasi e njëjta kishte kualifikim dhe nga komisioni ishte vlerësuar me më së shumti pikë dhe kundërligjshmëria e këtij procesi nuk u provua me asnjë provë.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Basri Mujën, Ferdije Zhushi – Etemin dhe Armend Mujën për shpërdorim të pozitës zyrtare, me pretendimin se i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 2,500.000 euro, kolegjit “Biomedica” për akreditimin e katër programeve. Tutje sipas aktakuzës i akuzuari Basri Muja për mos tërheqje të akreditimit për kolegjin në fjalë, ka kërkuar 50.000.00 euro për vitin e parë, 150.000.00 për vitin e dytë, ndërsa për vitin e tretë 50:50 nga fitimi.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Basri Muja dhe Ferdije Zhushi – Etemi i kanë shkaktuar dëm edhe Kolegjit “ISPE”, në atë mënyrë që kanë kërkuar përfitim me të holla për akreditimin e programeve. Në fillim kanë kërkuar përfitim prej 10.000.00 euro për një program, ndërkaq gjatë vitit 2011 kanë kërkuar shumën prej 20.000.00 eurove.

Më pas bazuar në aktakuzë, të njëjtit në bashkëkryerje ngarkohen edhe për marrje ryshfeti, meqenëse për akreditimin e programeve të Kolegjit “Universum” kanë përfituar shumën prej 35.000.00 euro.

Aktakuza e ngarkonte edhe të pandehurin Naim Braha, aksionar në Kolegjin “Vizioni për arsim” në Ferizaj, për dhënie ryshfeti, pasi që për akreditimin e dy programeve i ka dhënë 10.000.00 euro të pandehurit Basri Mujës, por për veprën penale në fjalë ka arritur parashkrimi dhe ndaj tij është pushuar procedura penale. /BetimipërDrejtësi