Nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi në mes të KKTK-së dhe ASHSH-së

Nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi në mes të KKTK-së dhe ASHSH-së

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë nënshkruan në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim rritjen e kontributit akademik në procesin e vlerësimit, shpalljes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe avancimin e mendimit dhe studimeve shkencore tematike.

Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryetari i ASH-së, Vasil S. Tole dhe Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv i KKTK-së. Të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë ishin: kryetari i ASH-së Skënder Gjinushi, Floresha Dado, kryetarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Shaban Sinani, sekretari shkencor i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, si dhe ekspertë të fushës në trashëgimi kulturore, Emin Riza, Muzafer Korkuti, Apollon Baçe dhe Nebi Bardhoshi (Akademia e të Rinjve), si dhe Kreshnik Bajraktari, udhëheqës i Divizionit të Trashëgimisë Jomateriale, Betim Elezi, zyrtar i lartë për Trashëgimi Shpirtërore dhe Argjenda Kojqini, zyrtare e lartë për Trashëgimi Arkitekturale.

Me këtë rast Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhuroi për Bibliotekën e KKTK-së rreth 150 tituj librash të fushave të ndryshme e botime të saj. Të dy institucionet u dakorduan të bashkëpunojnë edhe për realizimin e kërkimeve, studimeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe organizimin e konferencave shkencore, tryezave dhe takimeve të ndryshme me interes për trashëgiminë kulturore.


MË SHUME NGA Kulturë