Apeli cakton paraburgim ndaj gjykatësit në Skenderaj dhe zyrtarit policor

Apeli cakton paraburgim ndaj gjykatësit në Skenderaj dhe zyrtarit policor

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj gjykatësit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli, si dhe ndaj zyrtarit policor, Blerim Gashi, të cilët po dyshohen për vepra penale të korrupsionit.

Gjykatësi Ismajli dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse zyrtari policor, Gashi, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 shtator të këtij viti, ndaj tyre kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak, por Apeli ndaj tyre ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, kundër aktvendimit të Gjykatë Themelore në Prishtinë.

“Gjykata e Apelit, pasi i ka vlerësuar të gjitha rrethanat, konsideron se gjykata e shkallës së parë, nuk ka vepruar drejtë kur të dyshuarve ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, duke mos arsyetuar shkaqet që kanë sjell deri te marrja e një vendimi të tillë. Apeli vlerëson se në rastin konkret, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore, për caktimin e paraburgimit konform dispozitave te nenin 187, paragrafi 1, nënparagrafi 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, masën e arrestit shtëpiak ua kishte caktuar pas seancës dëgjimore, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ka kërkuar që ndaj gjykatësit Ismajli dhe ndaj zyrtarit policor Gashi, të caktohet masa e paraburgimit.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.I në cilësinë e personit zyrtar, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe i pandehuri B.G në cilësinë e personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, kishin shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke kaluar kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojnë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”, thuhej në njoftimin e Themelores.

Gjykata ka konstatuar se është plotësuar kriteri i dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale konform 187/1 nën par 1.2 pika 1.1 lidhur me nenin 183 par. 1 nën par 1.1 të KPPRK-së. Gjykata po ashtu konstaton se është përmbushur kriteri nga neni 183 par.1 nënpar.1.2 lidhur me nenin 187/1 nën par 1.2 pika 1.2.2 të KPPRK-së, si kusht i veçantë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, pasi që ka arsye për të besuar se të pandehurit mund të ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprës penale si dhe ekziston rreziku i ndikimit në të dëmtuarin dhe në bashkëpjesëmarrës.

Mbrojtësi i gjykatësit Ismajli, avokati Kadri Osaj, pas seancës dëgjimore që ishte mbajtur me dyer të mbyllura për mediat dhe publikun, kishte thënë se nga provat që posedojnë nuk është dëshmuar se klienti i tij e ka kryer veprën penale me të cilën dyshohet.

“Nga provat të cilat na janë dhënë në dispozicion me të drejt mund të konsiderojmë se nuk është dëshmuar dyshimi i bazuar si kusht esencial për caktimin e ndonjë mase eventuale, për faktin se ankuesi i cili ka pretenduar për një shkelje të klientit tim, është dënuar me një vendim gjyqësor dhe vendimi gjyqësor është bërë i plotfuqishëm para një viti. Kështu që, në rastin konkret kemi të bëjmë më tepër me një çështje civilo-juridike, mirëpo më tutje gjatë zhvillimit të procedurës ne si mbrojtje do të japim kontributin tonë dhe do të dëshmojmë me prova se s’ka të bëjë fare klienti im me veprën për të cilën dyshohet. Kemi me bo ankesë në Apel për faktin se sot me vendimin e gjykatës është caktuar masa e arrestit shtëpiak”, kishte thënë avokati Osaj.

Kurse, mbrojtësi i Blerim Gashit, avokati Behar Ejupi, kishte thënë se klienti i tij, e ka mohuar se e ka kryer një vepër të tillë penale.

“Për momentin nuk ka akuzë, ka një aktvendim për fillimin e hetimeve lidhur me klientin tim që dyshohet për veprën e paraparë në nenin 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (PSRK), që dyshohet për marrje të ryshfetit. Në këtë stad të procedurës, neve nuk na kanë dorëzuar provat dhe nuk mund të deklarohemi për këto prova të cilat nuk i kemi. Besoj se Gjykata e Apelit do ta aprovojë ankesën tonë dhe besoj që do të kemi një masë më të butë pasi që klienti im komplet e mohon veprën për të cilën dyshohet”, kishte thënë avokati Ejupi.

Ndryshe, një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli.

Një vendim të tillë, KGJK-ja e kishte marr në një mbledhje të jashtëzakonshme.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nën udhëheqjen e Zëvendëskryesueses, Makifete Saliuka, mbanë mbledhje të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës: Shqyrtimi i kërkesës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, për pezullimin nga detyra e gjyqtarit Rafet Ismaili, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Skenderaj – Divizioni Penal. Gjyqtari, i cili është arrestuar me datë 26.09.2019, nën dyshimin se kishte për të kryer veprën penale Keqpërdorim të detyrës zyrtare nga neni 414 par.1 të KPRK”, thuhej në njoftimin e KGJK-së.

Policia e Kosovës, në një komunikatë për media, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar nga Policia e Kosovës, një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë-Dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor në mbrëmjen e 26 shtatorit.

Ata dyshohen për tri vepra penale të korrupsionit dhe atë për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”,“ marrje ryshfeti” dhe “ushtrim i ndikimit”.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas pesë muajve të zhvillimit të hetimeve profesionale dhe aplikimit të masave të përcaktuara sipas KPPRKS-së, nga hetuesit rajonal për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë ka siguruar informacione relevante që kanë pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqësore, gjegjësisht veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Gjatë aplikimit të masave dhe veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi të bazuara për inkriminimin e dy zyrtarëve; një gjyqtari në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Skenderaj (potencuar më lartë) dhe të një zyrtari policor”, thuhej në njoftim.

Aty thuhet se zyrtari policor menjëherë është suspenduar dhe në kuadër të veprimeve të mëtejme është njoftuar dhe përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Ndryshe, ditë më parë, nën dyshimin se ka kryer vepra penale të korrupsionit, ishe arrestuar edhe gjykatësi në Gjykatën Themelore në Pejë, Sali Berisha, i cili më pas ishte pezulluar nga detyra nga KGJK-ja, si dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi