Suita lundruese e “James Bond”, luksoze, ekologjike dhe e shtrenjtë

Suita lundruese e “James Bond”, luksoze, ekologjike dhe e shtrenjtë

Fanatikët e filmave të “James Bond” mund të qëndrojnë tani në një hotel pluskues që është frymëzuar nga spiuni legjendar. Megjithatë, ëndrrën mund ta realizojnë pak fatlumë që mund të shpenzojnë 517 mijë dollarë.

I pagëzuar si “eko-hoteli i parë luksoz dhe pluskues”, “Anthenea” ofron një pamje 360 gradë të detit përmes dritareve në të gjithë sipërfaqen rrethore. Suita që në total është 50 metra katrorë, ka edhe dritare në dysheme, në mënyrë që të mos humbisni asgjë nga çfarë ndodh në jetën nënujore.

“Anthenea” është frymëzuar nga filmi i vitit 1977 i James Bond, “The Spy Who Loved Me”. Brenda saj mund të qëndrojnë deri në 12 persona, të cilët mund të futen në suitë edhe duke notuar nën ujë, si të ishin agjentë të fshehtë. E gjithë struktura përdor energji diellore për të lëvizur dhe për t’u furnizuar me energji elektrike. Ajo është ideuar dhe realizuar nga arkitekti francez Jean-Michel Ducancelle, i cili ka deklaruar se është frymëzuar nga filmi i Bond, pasi e ka parë kur ishte 15 vjeç.