Burgu në të cilin çdo vit vdesin më shumë se 5.000 persona

Burgu në të cilin çdo vit vdesin më shumë se 5.000 persona

Një në pesë të burgosur në Burgun Kombëtar të Filipineve humbin jetën çdo vit, raportuan zyrtarë të spitalit të institucionit, ose rreth 5.200 të burgosur. Arsyet kryesore janë mbipopullimi, sëmundjet dhe dhuna.

CNN-i raporton se shefi i stafit mjekësor Ernesto Tamayo, duke folur në një seancë dëgjimore në Senatin e vendit, tha se në burg ishte përhapur tuberkulozi. Burgu i quajtur “Bilibid” ndodhet në qytetin Muntinlupa, pak kilometra larg kryeqytetit Manila, është bërë objekt i skandaleve të ndryshme prej muajsh, duke bërë që autoritetet të nisin hetime për korrupsion në të gjithë sistemin e burgjeve në vend.

Vëmendja ndaj burgut në fjalë u drejtua fillimisht në gusht, pas zërave se një ish-kryetar bashkie, i cili po vuante dënimin për një vrasje dhe përdhunim të bërë në vitin 1993, po bëhej gati të lirohej për sjellje të mirë. Më pas në shtator një grua dëshmoi se zyrtarët i kishin kërkuar rreth 1000 dollarë për të shkurtuar kohën e vuajtjes së dënimit të bashkëshortit, ndërkohë që u ngritën akuza edhe për kontrabandë cigaresh, telefonash dhe madje televizorësh.

Edhe burgje të tjerë në vend kanë probleme të ngjashme, raporton CNN, që ka realizuar më parë edhe një reportazh special mbi kushtet çnjerëzore në të cilat të burgosurit jetonin.