Zyra Kombëtare e Auditimit anëtarësohet në INTOSAI

Zyra Kombëtare e Auditimit anëtarësohet në INTOSAI

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës është anëtarësuar me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Kjo u quajt si një arritje e jashtëzakonshme për auditorin e Kosovës, pasi do të jenë të barabartë me institucionet supreme të auditimit.

Kështu ka thënë në një konferencë për media auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, sipas së cilit INTOSAI, është një organizatë e pavarur, autonome, politike me organizim të përhershëm dhe shërben si organizatë umbrellë për gjithë sektorin publik me një status të veçantë pranë këshillit ekonomik social të kombeve të bashkuara.

“Kjo është një arritje kulminante për institucion tonë, sepse neve na bënë të barabartë me të gjitha institucionet supreme të auditmit në rrafshin global, na bënë vendimmarrës dhe nga 1 janari, ne do të kemi mundësi të prezantojmë Kosovën në të gjitha forumet ndërkombëtare, në të gjitha aktivitetet që i organizon kjo organizatë dhe jemi pjesëmarrës në nivel të barabartë në ndërtimin e standardeve sektorin publik për sektorin e auditimit të jashtëm”, tha ai.

Sipas tij, pjesëmarrja e Zyrës Kombëtare të Auditimit në strukturat e INTOSAI-t, promovon përveç tjerash qeverisjen e mirë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe ngritjen e kompetencës profesionale.

Osmani ka folur edhe planin vjetor të cilin e kanë përpiluar.

“Në këtë plan ne kemi paraparë që të hynë gjithsej 139 auditime prej të cilave janë 118 auditime të rregullsisë apo 118 organizata që financohen nga buxheti vjetor i shtetit, janë 15 organizata të ndërmarrjeve publike, e kemi po ashtu 9 projekte që financohen nga donatorët sikurse edhe 20 auditime të performancën, ndihmë të cilat janë në fushën e IT. Është një protoflio shumë e avancuar për sezonin e auditimit 2019-2020”, tha ai.

Përndryshe, INTOSAI vepron si një organizatë ombrellë për komunitetin e auditimit të sektorit publik dhe ka status të posaçëm konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social (ECOSOC) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme me 8 maj 2018. Pas një procesi të verifikimit dhe angazhimit intensiv është rikonfirmuar nga instancat relevante ndërkombëtare se ZKA-ja i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe administrative të përcaktuara me statutin e INTOSAI-t, për të qenë anëtarë me të drejta të plota në këtë institucion.

Zyra Kombëtare e Auditimit, është institucion i pavarur, që ushtron mandatin e saj të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj, në pajtueshmëri me standardet profesionale të auditimit dhe kodit të brendshëm të etikës e sjelljes profesionale.

Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit promovojnë drejtpërdrejt llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’iu kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore.