Basha: 9 kushtet e Budenstagut udhërrëfyes për daljen nga kriza politike

Basha: 9 kushtet e Budenstagut udhërrëfyes për daljen nga kriza politike

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se kriza politike vjen si pasojë e asgjësimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Sipas Bashës, “9 kushtet e Bundestagut përbëjnë një udhërrëfyes për daljen e vendit nga kriza politike”, teksa ka shtuar se “kërkesa e kryeministrit Edi Rama për t’u takuar qoftë dhe në selinë e PD, është një shfaqje e radhës e kreut të qeverisë”.

“Shkaku i vërtetë i kësaj krize është asgjësimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj, e gjithë beteja e opozitës është fokusuar tek zgjidhja e kësaj krize ekonomike, sociale dhe politike. Në këtë kuadër, aksioni ynë nuk është mjaftuar vetëm me protestat, por edhe me një aktivitet të ngjeshur me qytetarët shqiptarë për të konsultuar vizionin tonë, planin tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, me faktorin ndërkombëtar, i cili është një aktor shumë i rëndësishëm edhe në kuadër të integrimit evropian, natyrisht edhe brenda koalicionit opozitar për përpunimin e platformës politike për nxjerrjen e vendit nga kriza”, tha Basha gjatë një interviste televizive.

Lidhur me një marrëveshje me mazhorancën, Basha theksoi se 9 kushtet e Bundestagut përbëjnë një udhërrëfyes për daljen e vendit nga kriza politike.

“Siç shprehet qartë edhe dokumenti i Bundestagut, zgjidhja e krizës së rëndë politike përbën sot prioritetin numër 1 për Shqipërinë, në mënyrë që të avancojë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, nënvizoi kreu i PD-së.

“Për këtë arsye, opozita ka propozuar një plan masash për nxjerrjen e vendit nga kriza, duke përfshirë propozim për reformën zgjedhore, që është një nga kushtet kryesore, si nga raporti i OSBE/ODIHR-it, ashtu edhe nga 9 kërkesat e Bundestagut dhe nga dokumenti i vitit të kaluar i Këshillit Evropian”, shtoi Basha.

Sipas tij, zgjidhja e vetme është zbatimi i këtij udhërrëfyesi që çon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë, me një reformë zgjedhore që u garanton qytetarëve vendimmarrjen për nesër e përgjithmonë.

“Pra, çlirimin e politikës nga krimi. Çlirimin e shtetit nga kapja e tij nga krimi dhe interesat korruptive dhe kthimin e vendimmarrjes te qytetarët. Vetëm kështu Shqipëria mund të shkojë drejt Evropës”,  nënvizoi Basha./atsh


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare