Në shkollën “Faik Konica” deri në mesditë kanë votuar 10 përqind e votuesve

Në shkollën “Faik Konica” deri në mesditë kanë votuar 10 përqind e votuesve

Procesi zgjedhor në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë procesi zgjedhor është duke shkuar në mënyrë të rregullt, pa ndonjë problem të theksuar.

Të paktën kështu thonë përgjegjësit e qendrës së votimit dhe qytetarët, teksa deri në mesditë prej gjithsej 8105 votuesve, kanë dal rreth 802 votues apo 10 përqind e tyre.

Drejtoresha e shkollës, e cila njëherësh është përgjegjëse për këtë pikë votuese, Xhylie Bala duke folur për procesin zgjedhor tha se i gjithë procesi është duke shkuar në mënyrë të rregullt, përveç një rasti, ku një qytetar ka hasur një familjar të vdekur në listën votuese.

“Në këtë qendër i kemi nëntë vendvotime, tetë të rregullta, një me kusht. Gjithçka ka shkuar në rregull, që në mëngjes kemi pas vëzhgues të BE-së dhe vazhdojnë të jenë këtu dhe ata vendor...Po është respektuar gjithçka sipas KQZ-së, në orën 07:00 është hap vendvotimi dhe kemi deri tash një numër 10 përqind përafërsisht, 802 e dy votues...kemi pasur vetëm një rast të personit të vdekur, dhe natyrisht kemi sugjeruar që të bëhet ankesa për t’u dërguar në KQZ..aspektet teknike kanë qenë gjithçka në rregull dhe po vazhdon një proces i rregullt”, tha ajo.

Se ka shkuar deri më tani procesi zgjedhor në mënyrë të rregullt, e thonë dhe qytetarët. Për këtë proces të votimit, prej qytetit të Hamburgut në Gjermani ka ardhur Hasan Hamiti, i cili tha për KosovaPress se ka ardhur për të zgjedh më të mirin për të ardhmen e Kosovës.

“Vij prej qytetit të Hamburgut, vetëm kam ardhë për votime që të zgjedhim më të mirin e Kosovës...krejt ishin në rregull shumë mirë, shpejt”, tha ai.

E kënaqur me procesin zgjedhor u shpreh edhe qytetarja, Teuta Haxhia, teksa shtoi se presin një jetë më  të mirë për të rinjtë.

 

“Gjithçka ishte në rregull, ka shkuar krejt mirë. Votimet i kryjtëm, obligimin e kryjtëm. Besoj që veç me të mira tash e tutje. Mjaft janë të rëndësishme presim një jetë më të mirë për të rinjtë sidomos”, u shpreh Haxhia.

Ndërkaq, i riu, Sokol Kosumi bëri thirrje që të dalin më shumë qytetarë të votojnë.

“Jo kish pas zona kështu pak ma kallabllak, dikun ma kështu, po në rregull gjithçka.. duhet me dalë me votu secili unë e kryjta të timen. Kisha pas qejf me dalë sa më shumë, pasi sa më shumë që dalim aq më mirë është, sepse vendos populli”, tha ai. 

Kurse, qytetari tjetër, Aliriza Shahini po ashtu tha se deri në atë kohë gjithçka ishte në rregull. 

“Ma si e kemi obligim qytetar dhe shtetëror unë e përfundova, parregullsi nuk kishte, momentalisht jo”, tha ai.

Përveç qytetarëve, në shkollën, “Faik Konica”, kanë votuar dhe disa prej krerëve partiakë  dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.