Në Gjilan deri në mesditë votuan mbi 8 për qind e qytetarëve

Në Gjilan deri në mesditë votuan mbi 8 për qind e qytetarëve

Në Komunën e Gjilanit procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull dhe deri më tani nuk është shënuar ndonjë parregullsi. Në këtë komunë deri në orën 11 kanë votuar 8.82 për qind e qytetarëve, ku të drejtë vote kanë 103 mijë e 54 votues.

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Gjilan, Ferid Shabani për KosovaPress tha se në këtë komunë vërehet një interesim më i madh për të votuar, sesa në zgjedhjet e kaluara. Ai bëri të ditur se deri më tani në këtë komunë nuk është shënuar ndonjë parregullsi.

"Në Komunën e Gjilanit janë 34 qendra votimi, ku votuesit e kanë mundësinë që të votojnë në 129 vendvotime. Numri i përgjithshëm i votuesve është 103 mijë e 54 votues. Deri në orën 11 sipas përqindjes që e kemi marrë në ora 11 dalja e votuesve është 8.82 për qind, krahasuar me zgjedhjet e kaluara që ka qenë 8.15. Shihet që në Komunën e Gjilanit interesimi për dalje në zgjedhje është i shtuar, shpresojmë që kështu do të jetë deri në fund", tha ai.

Shabani tha se nuk është shënuar ndonjë parregullsi në këtë komunë, teksa shtoi se kanë pasur kërkesa për sqarim nga menaxherët e qendrave për koordinatorët e vëzhguesve të partive politike.

Qendra më e madhe e votimit në këtë komunë është në shkollën " Thimi Mitko" me 21 vendvotime, ku të drejtë vote kanë 17 mijë e 200 qytetarë.

Menaxherja e kësaj qendre Sevdije Sadiku, tha se procesi i votimit është duke shkuar në rregull dhe se nuk është evidentuar asnjë parregullsi.

"E kemi pas në ora 11 ku e kemi marrë numrin e votuesve, të cilët kanë dalë deri në atë orë, ka qenë një numër shumë i vogël për arsye se ndoshta mëngjes ka qenë, diku 1 mijë e 300 votues kanë qenë që i bie diku 7.1 për qind...Pas orës 11 shihet që është një fluks i qytetarëve më i madh, të cilët kanë dalë për të votuar, sidomos tash është një numër më i madh...Deri më tani nuk e kemi pas asnjë problem të vetëm", tha Sadiku.

Qytetarët që votuan në këtë qendër shprehen se nga këto zgjedhje presin ndryshime për të mirë. Bajram Syla, qytetar, pas votimit, u shpreh se nga këto zgjedhje pret të ketë më shumë perspektivë për të rinjtë.

"Besoj dhe shpresoj që më së shumti për çështjen e rinisë, që këto zgjedhje të jenë të mbara dhe të na vazhdojë e mbara, por jo deri më sot siç ka qenë. Besoj se populli është vetëdijesuar", tha Syla.

Ndryshime nga këto zgjedhje pret edhe Shpresa Murati, e cila tha se tash e 20 vjet gjithçka ka qenë e njëjtë.

"Presim ndryshime, tash e 20 vjet nuk ka pasur diçka ndryshime, po presim tash", tha Murati.

Për herë të parë sot votoi Blerton Rashiti, i cili tha se nga qeveria e re pret që të punojë më shumë në krijimin e vendeve të punës për të rinjtë.

"Pres me u bë diçka më mirë për Kosovën dhe të shkojë vendi përpara...Punësim për të rinjtë e vendit, jo me ik jashtë vendit", tha ai.

Ndërsa, Hasime Zymeri, pret që nga këto zgjedhje të ketë ndryshime në të mirë të vendit.

"Prej këtyre zgjedhjeve presim më mirë diçka, deri sot pak. Uroj fitoren dhe shpresoj të bëhet mirë", tha Zymeri.

Ndryshe, në Gjilan kanë të drejtë vote 103 mijë e 54 qytetarë, ndërsa në këtë komunë janë 34 qendra votimi me 129 vendvotime.