Hahn: Vendet e BE-së të përmbushin zotimet ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë

Hahn: Vendet e BE-së të përmbushin zotimet ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë

Johanes Hahn, Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian konfirmon edhe një herë mbështetjen e tij për hapjen e negociatave në tetor për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i janë përgjigjur reformave të kërkuara, tani është koha që edhe shtetet anëtare të përgjigjen. Faleminderit drejtuesve të BE-së për qëndrimin e fortë për hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet në Tetor”, shprehet Hahn.

Kujtojmë që vetëm tri ditë më parë drejtuesit e institucioneve më të larta të Bashkimi Evropian iu drejtuan shteteve anëtare me një letër ku kërkonin të japin dritën jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në letrën e firmosur nga 4 presidentët, Tusk, Sassoli, Juncker dhe Von der Leyen, theksohet se “nëse BE vendos tani për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Unionit për të përmbushur premtimet e tij dhe për të parë të ardhmen”. /ATSh


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare