Procesi zgjedhor është zhvilluar i rregull edhe në Drenas

Procesi zgjedhor është zhvilluar i rregull edhe në Drenas

Menaxheri i qendrës së votimit 0301E "Rasim Keçina" në Drenas, Rrahim Muleta u shpreh për KosovaPress se procesi i zgjedhjeve është duke shkuar në rregull dhe se nuk ka pasur ndonjë incident i cili do t`ia zbehte imazhin e këtij procesi në këtë qendër.

Ndër tjera ai tha se numri i qytetarëve të cilët e kanë ushtruar të drejtën për të votuar në këtë qendër deri në orën 17:00 është i kënaqshëm.

"Janë 4072 votues të regjistruar, prej tyre kanë dalur 1467 e që shprehu në përqindje janë 36.02%", u shpreh Muleta.

Po ashtu edhe kryesuesi i Komisionit Zgjedhor Komunal, Burim Jonuzaj, u shpreh se procesi i zgjedhjeve në komunën e Drenasit ka shkuar në rregull dhe se nuk ka pasur ndonjë incident i cili është raportuar në këtë ditë.

"Vendvotime janë hapur në orën shtatë të mëngjesit gjithçka ka shkuar në rregull. Janë 54 mijë e 684 votues të cilët kanë drejtë votë në Drenas. Deri më orën 15:15 të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 27.03%", u deklarua Jonuzaj.

Ndërsa ata të cilët e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar u shpreh se presin përmirësime dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët. Ata si problem kryesor e shohin ikjen e të rinjvë nga vendi.

Naser Berisha, qytetar i Drenasit u shpreh se nga këto zgjedhje pret ndryshime.

"Presim ndryshime, mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës", u shpreh Berisha.

 Ndërsa qytetari tjetër nga kjo komunë po ashtu u shpreh se pret ndryshime nga këto zgjedhje.

"Nga këto zgjedhje pres risi, pres zgjedhje të ndershme, ky vend meriton të zgjedhet një parti e cila e dërgon vendin përpara, sa i përket rregullimit të kufijve të mbesin ku janë, pres risi, pres zhvillim që kjo rini, ky ari që po na ik në mërgim të na kthehet", deklaroi Abdyli.

Sipas të dhënave nga Këshilli Zgjedhor Komunal deri në ora 15 :15, të drejtën për të votuar e kanë ushtruar 27.03% e popullsisë së përgjithshme të kësaj komune.