Bien nga ujëvara, ngordhin 6 elefantë në përpjekje për të shpëtuar

Bien nga ujëvara, ngordhin 6 elefantë në përpjekje për të shpëtuar

Gjashtë elefantë kanë ngordhur në Tajlandë pasi ranë nga një ujëvarë në përpjekje për të shpëtuar njëri-tjetrin.

Zyrtarët thonë se incidenti ndodhi pasi një elefant i vogël u rrëzua në ujëvarën në Parkun Kombëtar Khao Yai.

Më pas u rrëzuan edhe 5 kafshët e tjera.

Gjithashtu 2 elefantë të tjerë u gjetën në majtë të shkëmbit, shumë pranë ujëvarës dhe autoritetet Tajlandeze po përpiqen ti shpëtojnë.

Fillimisht u gjet trupi i elefantit të vogël dhe më pas 5 të tjerë u zbuluan aty pranë.

Edwin Wiek, themeluesi i Fondacionit Wildlife Friends Thailand, tha se çdo elefant i mbetur nga tufa e ka të vështirë të mbijetojë pasi kafshët mbështeten tek njëri-tjetri për mbrojtje dhe gjetje të ushqimit.

Gjithashtu incidenti pritet të ndikojë emocionalisht tek elefantët, pasi ata pikëllohen nga humbja e pjesëtarëve të tufës.

"Është sikur të humbisni gjysmën e familjes suaj,"-tha Wiek për BBC. "Nuk ka asgjë që mund të bëjë, kjo është natyra për fat të keq."

Ky nuk është incidenti i parë. Raportohet se incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë në të njëjtën ujëvarë, e njohur si Haew Narok (Rënia në Ferr).

Një tufë prej tetë elefantësh ngordhën pasi ranë aty në vitin 1992.

Rreth 7,000 elefantë aziatikë jetojnë në Tajlandë, me më shumë se gjysmën e tyre që jetojnë në robëri.