Hungaria për herë të dytë refuzon ekstradimin e Gruevskit

Hungaria për herë të dytë refuzon ekstradimin e Gruevskit

Hungaria nuk do të ekstradojë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski as për ngjarjet lidhur me të enjten e përgjakshme, kanë bërë të ditur nga Ministria e Drejtësisë.

“Është pranuar njoftimi se Gjykata Rajonale Supreme ka sjellë vendim përfundimtar se nuk janë plotësuar normativat ligjore për ekstradimin e Nikolla Gruevski, sepse me kërkesë të tij i është miratuar azili në Hungari. Në përputhshmëri me aktin numër 38 për ndihmë ndërkombëtare juridike, personit të cilit i është dhënë azili nuk do të ekstradohet në shtetin nga ku ka ikur”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë për A1on.

Hungaria më herët ka refuzuar ekstradimin e Gruevskit, pas kërkesës për të vuajtur dënimin me burg për lëndën “Tanku” të PSP-së.

Ndryshe, në Gjykatën Penale është caktuar seancë për të vlerësuar aktakuzën për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit, në të cilat i përfshirë është edhe Gruevski.