Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit më të mirat në Ballkan

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit më të mirat në Ballkan

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, kanë qenë më të mirat që ka organizuar Kosova ndonjëherë.

Kështu vlerësojnë analistët, duke theksuar se një proces i tillë kaq demokratik, nuk ka ndodhur as në vendet e rajonit, pasi nuk ka pasur tentim për manipulime dhe as ankesa nga ana e partive politike. Këto zgjedhje janë vlerësuar edhe nga shumë vende të rajonit e medie ndërkombëtare.

Zgjedhjet e së dielës në Kosovë janë vlerësuar pozitive nga analistët, por gjithashtu edhe nga shumë vende të rajonit dhe medie ndërkombëtare. Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, tha për Radio Kosovën se të gjitha institucionet e përfshira në këto zgjedhje kanë treguar një punë shumë të mirë dhe në nivel të detyrës. Ai tha se edhe partitë politike kanë qenë në një nivel të mirë pa tentuar të bëjnë manipulime, madje siç tha, këto zgjedhje duhet të jetë një shembull për shumë vende të Ballkanit.

“Mund të nxjerrim një përfundim se ka qenë një nga proceset më të mira të zgjedhjeve që ka organizuar Kosova. Madje një proces i tillë, nuk ka qenë as në Ballkan, sepse është një proces zgjedhor që ka shumë pak skandale dhe nuk ka as ankesa nga ana e partive politike...”

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Xhavit Shala, tha për Radio Kosovën se lajm i mirë për këto zgjedhje është se ka rënë dukshëm tentimi për të abuzuar me votën.

“E para, është vetëdijesimi qytetar, që nuk hyn më në burg për politikanin ose kandidatin që ka tentuar të abuzojë me votën dhe e dyta është që organet e zbatimit të ligjit vërtet i kanë rritur kapacitetet dhe gatishmërinë, për të cilat duhet të vlerësohen...”

Gjithashtu, edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, zgjedhjet e 6 tetorit i ka konsideruar si të mirë organizuara, të monitoruara shumë mirë, duke vlerësuar si zgjedhjet më të mira. KMDLNJ e konsideron pozitive pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në këto votime si dhe vlerëson faktin që partitë jofituese nuk e kanë kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve. Ndërsa mediet ndërkombëtare dhe disa nga vendet e rajonit, kanë vlerësuar se këto zgjedhje ishin demokratike dhe të organizuara në mënyrën më të mirë dhe korrekte.

 

Autor: Albana Karaj, Radio Kosova


MË SHUME NGA Aktuale